Telegrafi

FSHF njofton për vendin dhe orarin e ndeshjes miqësore që do të luhet me Suedinë

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) përmes një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur se ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Suedisë do të luhet në stadiumin “Friends Arena” të Stockholmit më datë 25 mars me fillim nga ora 19:00.

Njoftimi i plotë i FSHF-së:

“Është konfirmuar tashmë ora e ndeshjes miqësore Suedi – Shqipëri, që do të luhet më 25 mars në transfertën e Stokhomit. Sipas marrëveshjes mes dy federatave ky takim do të luhet në stadiumin “në stadiumin “Friends Arena”, në Stokholm duke nisur nga ora 19:00.

Kjo është ndeshja e gjashtë në histori mes këtyre dy përfaqësueseve, ndër të cilat katër sfida kanë qenë të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror, ndërsa dy të tjerat ndeshje miqësore.

Ndërkaq, Shqipëria do të zhvillojë edhe një tjetër miqësore gjatë muajit mars, teksa në ditët në vijim, Departamenti i Komunikimit në FSHF do të publikojë edhe emrin e kundërshtarit, vendin dhe orën e takimit.

Këto dy ndeshje miqësore janë në kuadër të përgatitjeve të Kombëtares për Europianin “Gjermani 2024”, ku trajneri Silvinjo do të ketë mundësinë që të testojë lojtarët dhe ekipin kuqezi pas thuajse 4 muajsh nga ndeshja e fundit”, thuhej në njoftimin e tyre.

Kjo ndeshje miqësore është pjesë e përgatitjeve para Kampionatit Evropian që do të mbahet në Gjermani gjatë verës, aty ku Shqipëria është e pozicionuar në grupin B së bashku me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë./Telegrafi/