Site icon Telegrafi

Fshehja e krimeve të luftës nga Serbia, Kurti: Kërkojmë hapjen e arkivave, vetëm përmes ndriçimit të së vërtetës arrihet paqja e qëndrueshme në rajon

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka reaguar lidhur me 10-vjetorin e klasifikimit 30 vjeçar të arkivës së Brigadës së 37-të të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave nga Serbia.

Kurti në një postim në Facebook shkruan se në bazë të marrëveshjes së arritur më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel, përsërisin kërkesën për hapjen e arkivave në Serbi.

“Tashmë kemi dërguar disa kërkesa lidhur me hapjen e arkivës së Brigadës 37-të të Motorizuar të UJ, përgjegjëse për shumë masakra në rajonin e Drenicës”, shkruan ai.

Lexoni të plotë postimin e Kurtit:

10 vjetori i klasifikimit 30 vjeçar të arkivës së Brigadës së 37-të të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave

Gjatë luftës 1998-99 në Kosovë, strategjia e shtetit serb ishte fshehja e krimit nëpërmjet të fshehjes së kufomave. Kjo strategji është ende aktive. Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd, dikur bashkëpunëtorë dhe sot politikanë në krye të shtetit serb, refuzojnë të hapin arkivat për të zbuluar vendndodhjet e varrezave masive.

Para 10 vitesh, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë shpalli sekret shtetëror dokumentet mbi veprimtarinë në Kosovë të Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Ky vendim i marrë më 31 korrik 2014, pengon zbardhjen e së vërtetës së dhimbshme lidhur me vrasjet e civilëve shqiptarë dhe fshehjen e trupave të tyre në varreza masive në Serbi.

Në bazë të marrëveshjes së arritur më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel, ne përsërisim kërkesën për hapjen e arkivave në Serbi. Tashmë kemi dërguar disa kërkesa lidhur me hapjen e arkivës së Brigadës 37-të të Motorizuar të UJ, përgjegjëse për shumë masakra në rajonin e Drenicës.

Vendimi i shtetit serb për të klasifikuar këto dokumente si sekrete për 30 vite është përpjekje për të fshehur krimet e kryera. Është edhe një tregues i qartë se Serbia, përderisa qëndron mbi varret e civilëve shqiptarëve të vrarë, nuk ka treguar asnjë shenjë pendese për mizoritë e kryera në Kosovë.

Ky akt përbën një shkelje të të drejtave të njeriut, të drejtës së familjeve për të ditur të vërtetën dhe pamundëson përpjekjet për të sjellë drejtësi. Duke mbajtur të fshehta këto dokumente, Serbia nuk po distancohet nga regjimi i Millosheviqit dhe krimet e tij gjenocidale në Kosovë.

Vetëm përmes ndriçimit të së vërtetës dhe mbajtjes përgjegjës të autorëve të krimeve mund të arrihet drejtësia dhe paqja e qëndrueshme në rajon. /Telegrafi/

Exit mobile version