Cymë Abdullahin nga fshati Popoc i komunës së Gjakovës, lufta e ka goditur rëndë. Ajo është nënë e dy dëshmorëve dhe një djali të zhdukur, ndërsa dy djem të tjerë i janë maltretur burgjeve nga forcat serbe.
Sot në Ditën e Personave të Pagjetur, ajo i ledhaton faqet djalit të saj të ndjerë vetëm mbi fotografinë e tij në varr.
Atë ia morën serbët kur ishte 14 vjeç, e ndanë nga duart e saj dhe të bashkëshortit, e vranë dhe e zhdukën.
Ajo sot po qëndron pranë varrit të djalit të saj në Mejë, eshtrat e të cilit i gjetën pas luftës.
“Nëna e dy dëshmorëve dhe një të zhdukur, e dy i kam pas më burg, pesë , ata i kam mirë në shtëpi. Çka me bë, igball e kemi pas kështu”, rrëfen ajo.
Ani pse e shtyrë në moshë, ajo e kujton mjaft qartë ditën kur në rrugë serbët ja morën djalin e vogël.
“Kemi qenë në Meje, na kanë marrë këtë në dorë policia”, thotë Cymë Abdullahi.
Prinderit Abdullahi sot kërkojnë drejtësi për të zhdukurit e tjerë në Kosovë fati i të cilëve ende nuk është zbardhur.
“Ata qe janë vra me pushkë më dorë u qoftë hallall, por ky , ma kanë marrë nga dora, mua më kanë rrah e këta e kanë ndalë, 14 vjeçar”, thotë Xhemajl Abdullahi.
Në varrezat e Mejës sot nuk ka ceremoni përkujtimi siç bëhet zakonisht, meqë në vend është përhapur Covid-19 dhe qytetarët po detyrohen të qëndrojnë në izolim.
Megjithatë, familjarët nuk lanë pa vendosur lule mbi varret e martirëve në kompleksin e Mejës, me kërkesën e vetme, që gjendet edhe i zhdukuri i fundit në Kosovë.
Edhe Muhamet Rrustemi e kujton sot tragjeditë e Mejës, e cila i mori jetën e tre vëllezërve.
“Tretë kanë qenë me fakultet, djemë inteligjentë, djem të shkolluar, më 27 prill 1999 i kanë ndalë këtu në Mejë dhe i kemi identifikuar kufomat i kemi varrosë por ka edhe tjerë që kanë mbet që sot e asaj ditë nuk janë gjete”, tha Rrustemi.
Ai mezi rrëfen sot në përvjetorin e Masakrës së Mejës, dhimbjen qe e mbajnë tash e 21 vjet.
Ai kërkon presion mbi Serbinë të cilin thotë se duhet ta ushtrojnë institucionet e Kosovës.
“I kujtojmë me mallin më të madhin, nuk po di as vet qysh me ta përshkru, kam emocione shumë, se me i humb tre vëllezër sot në këtë kohë dje mos me u pa asgjë më dritë boll problem i madh. Institucionet tona janë mundu me bë diçka, por kanë mund të bëjnë më shumë trysni të ndërkombëtaret dhe të tjerët qe me u zbardh edhe njeriu i fundit dhe me u varrosë në këtë vend të shenjtë”, thotë Rrusemi mes lotësh.
Kosovës vazhdojnë t’i mungojnë mbi 1 mijë e 600 persona të vrarë e të zhdukur pastaj në luftën e fundit në Kosovë.
Mijëra familje janë në pritje të lajmeve për më të dashurit e tyre, për të cilët thonë se Serbia e di vend ndodhjen e tyre por nuk e thotë.
27 prilli shënohet në Kosovë si Dita e të Pagjeturve, e njëkohësisht edhe përkujtohet Masakra e Mejës në cilën u ekzekutua djali 14 vjeçar i Cymë Abdullahit dhe 366 shqiptarë të tjerë. /KP/