Viganella, një fshat i vogël i vendosur në një luginë në kufirin italo-zvicerian, përballet me një problem të veçantë.
I rrethuar nga male, fshati zhytet në errësirë për tre muaj çdo vit, nga nëntori deri në shkurt.
Mungesa e dritës së diellit ka çuar edhe në rënien e popullsisë, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se në vitin 1999, në një përpjekje për të ndryshuar këtë gjë, kryebashkiaku i atëhershëm Franco Midali propozoi një zgjidhje interesante: një pasqyrë gjigante për të reflektuar dritën e Diellit.
Kjo sfidë u mor përsipër nga arkitekti Giacomo Bonzani i cili me ndihmën e inxhinierit Gianni Ferrari projektoi një pasqyrë tetë metra të gjerë dhe pesë metra të gjatë.
E vendosur në vitin 2006, pasqyra reflektonte rrezet e diellit për gjashtë orë në ditë. Edhe pse nuk ishte aq e fortë sa rrezet direkte të diellit, drita e ngrohte vendin dhe siguronte dritë natyrale të nevojshme.
Pasqyra përdoret edhe tash por vetëm gjatë muajve të dimrit, ndërsa qëndron e mbuluar për pjesën tjetër të vitit.
Projekti jo vetëm që ka sjellë përfitime, por ka tërhequr edhe vëmendjen e ndërkombëtarëve.
Ndryshe, historia e Viganlleas ka frymëzuar edhe vendet e tjera. Në vitin 2013 një pasqyrë e ngjashme u instalua edhe në Rjukan të Norvegjisë. /Telegrafi/