Ashtu siç ndodhi në sezonin 2018/2019, edhe në edicionin 2019/2020, Real Madridi u eliminua nga Liga e Kampionëve derisa Sergio Ramosi mungonte në fushë.
Kapiteni ishte i suspenduar dhe e shikoi nga tribunat përballjen ndaj Manchester Cityt të premten mbrëma, ashtu sikur edhe në edicionin e kaluar ndaj Ajaxit, kur Los Blancos u eliminuan në të tetën e finales.
Ramos nuk ishte as në humbjen prej 3-0 nga Paris Saint-Germaini më herët gjatë këtij sezoni, i cili po ashtu kishte munguar në humbjen nga CSKA Moska në fazën grupore të edicionit të kaluar.
Madje edhe në sezonin 2017/2018, kur Real Madridi e fitoi Ligën e Kampionëve, qendërmbrojtësi ishte i pezulluar në ndeshjen kthyese çerekfinale kundër Juventusit, kur Zonja e Vjetër për pak sa nuk e përmbysi rezultatin në Santiago Bernabeu.
Duke shkuar edhe më prapa, Ramos mungoi edhe në sezonin 2007/2008 kur Mbretërit u eliminuan nga Roma, si edhe në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të sezonit 2010/2011 kur u eliminuan nga Barcelona.
Edhe pse u përpoq të bënte gjithçka që mundi nga tribunat në Etihad Stadum këtë sezon, duke tentuar t’i motivonte bashkëlojtarët, mosprezenca e tij në fushë i kushtoi Realit. /Telegrafi/