Telegrafi

Frontex shqetësohet për numrin në rritje të migrantëve që nisen nga Egjipti

Kreu i Agjencisë Evropiane të Kontrollit të Kufijve Frontex, Fabrice Leggeri, shprehu sot shqetësime në median gjermane për numrin në rritje të migrantëve që përpiqen të vijnë në Evropë duke kryer një kalim shumë të rrezikshëm duke u nisur nga Egjipti.

“Egjipti ka filluar tani të jetë një vend nisjesh”, vlerësoi drejtori i Frontex në një intervistë për grupin “Funke” që bashkon disa media gjermane.

“Këtë vit, numri është rreth 1 000 kalime në varka trafikantësh që prej Egjiptit drejt Italisë dhe kjo rrugë po rritet”, shtoi ai.

Që prej fillimit të pranverës, një numër në rritje i anijeve të peshkimit të nisura nga Egjipti me qindra persona në bord janë shpëtuar.

Sipas Komisionerit të Lartë për Refugjatët në OKB, ata përfaqësojnë rreth 10 për qind të emigrantëve.