Telegrafi

Frizeri nga Prishtina që shkon derë më derë për t’ua prerë flokët klientëve, në ditët kur Kosova është izoluar nga coronavirusi

I pajisur me maskë, dorëza dhe një bombolë me dezinfektues, një frizer nga Prishtina ka vendosur t’iu dalë në “ndihmë” qytetarëve të cilët në këto ditë pandemie janë mbyllur nëpër shtëpitë e tyre, me shpresën se kështu do të kontribuojnë në parandalimin e përhapjes së mëtejme të COVID-19.

Ai shkon derë më derë të klientët e tij që kanë mbetur të “ngujuar” në shtëpi, pas thirrjeve të autoriteteve për vetëizolim, transmeton Telegrafi.

“Njerëzit kanë nevojë”, tha 33-vjeçari Driton Kameri derisa po ia priste flokët një të riu të cilit i kishte shkuar në shtëpi.

“Ju mund t’i mbyllni lokalet e frizerëve, por nuk mund t’i urdhëroni flokët të mos rriten. Është një gjë që duhet kryer”, ka shtuar ai.

Sikurse shumica e bizneseve tjera në Prishtinë, edhe salloni i Dritonit është mbyllur si preventivë kundër përhapjes së coronavirusit në Kosovë, ku deri më tani kanë humbur jetën 7 persona dhe qindra tjerë janë infektuar.

E për t’i mbajtur sa më të “freskët” qytetarët me dukjen e tyre, Kameri ka vendosur t’ju dalë në ndihmë, duke shkuar shtëpi më shtëpi për t’ua prerë flokët.

Atë fillimisht e telefonojnë dhe më pas niset drejt shtëpive të tyre për të minimizuar rrezikun nga coronavirusi.

“Nuk shkoj askund pa dezinfektues, maskë mbrojtëse dhe dorëza. Para se të marr gërshërët dhe krehrin, dezinfektoj klientët plotësisht nga koka në këmbë”, shtoi Dritoni për AFP.

Një prerje standarde e flokëve kushton 5 euro, ndërsa për pensionistët të kanë probleme financiare ua prenë falas, thotë ky i ri nga Prishtina. /Telegrafi/