Pas diagnostifikimit të qindra pacientëve me coronavirus në Itali, ku humbën jetën 8 prej tyre, autoritetet e vendit kanë filluar të aplikojnë masat e rrepta të kontrolleve si preventivë dhe tentativë për të parandaluar zgjerimin e virusit vdekjeprurës.
E një prej vendeve më të prekura në Itali është një lagje kineze në Milano, ku nga frika se mund të infektohen me virus, shumë turistë por edhe banorët lokal i kanë reduktuar dukshëm lëvizjet nëpër këtë lagje, transmeton Telegrafi.
Edhe pse shumë pak markete dhe lokale tjera afariste po vazhdojnë të jenë të hapura, ato shumë pak njerëz po i frekuentojnë, për faktin se tashmë dihet se epiqendra e virusit vdekjeprurës ka shpërthyer në një qytet kinez – Wuhan, dhe dyshimet se dikush mund të ketë qenë atje i ka shtyrë qytetarët të jenë më të kujdesshëm kur kalojnë nëpër këtë lagje.
Megjithatë edhe ata pak persona që shihen nëpër këtë lagje, mbajnë maska mbrojtëse dhe në fytyrat e tyre vërehet një dozë frike se mund të infektohen me coronavirus. /Telegrafi/