Kombinimet e niveleve të larta në dialogun Kosovë – Serbi mund ta kalojnë këtë proces nga një dialog me ndërmjetësues në një çështje për konferencë ndërkombëtare. Madje një format i tillë, i cili do të mundë ta përfshinte SHBA-në, Rusinë, Gjermaninë e Francën, vlerësohet se mund ta rivendosë në diskutim statusin e Kosovës dhe mund ta përsërisë një Vjenë të dytë, shkruan sot Gazeta ‘Zëri’.
Faza finale e dialogut Kosovë – Serbi, e udhëhequr deri më tani nga Bashkimi Evropian, ka gati një vit prejse ka ngecur. Ndërmjetësimi i këtij procesi nga Brukseli zyrtar vazhdon të mos sjellë rezultate konkrete tash e 8 vjet.
Por për t’i ofruar një zgjidhje sa më të shpejtë, së fundmi Gjermania e Franca kanë kërkuar që në bisedimet e Kosovës me Serbinë të kenë një përfaqësues të veçantë.
Madje ditë më parë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë emëruar Matthew Palmerin si përfaqësues të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, gjë e cila po shihet si përpjekje për përfshirje gati direkte të Amerikës në procesin e dialogut.