Telegrafi

Freeman mbajti vetëm një dorezë gjatë interpretimit prekës në hapjen e Botërorit, arsyeja është e dhimbshme

(Foto: Screenshot/Twitter/beIN Sports)

Aktori legjendar, Morgan Freeman, të dielën mbrëma e ka hapur Kampionatin Botëror, ‘Katar 2022’, me një performancë prekëse. Gjatë fjalimit të tij me mesazhin për unitet, ai mbante vetëm një dorezë pas të cilës fshihet një arsye e dhimbshme.

Ikona e ekranit tërhoqi vëmendjen e publikut gjatë fjalimit të tij skenik në stadiumin Al Bayt në Al Khor, ku në skenë iu bashkua edhe ambasadori pa këmbë i Kampionatit, Ghanim Al Muftah.

Por, përveç mesazhit prekës që 85-vjeçari e dërgoi për publikun, shumëkujt i ra në sy edhe doreza që fituesi i Oskarit mbante vetëm në dorën e majtë.

Gjegjësisht, bëhet fjalë për një dorezë kompresive, të cilën aktori veteran e mban prej vitesh, pasi dora e majtë i ishte paralizuar pas një aksidenti automobilistik 14 vite më parë.

Edhe pse e ka mbajtur për kohë të gjatë, normalisht ai e fsheh me mjeshtëri dorën, madje edhe vet dorezën, por këtë herë ka vendosur ta tregojë në ceremoninë e hapjes së Kampionatit Botëror, prandaj ka rënë veçanërisht në sy të publikut.

Freeman pësoi lëndime të rënda pas aksidentit në vitin 2008 dhe ishte me fat që mbeti gjallë. Automjeti i tij që u përmbys disa herë, përfundoi në një kanal, ndërsa aktori u largua nga vendi i ngjarjes me helikopter.

Ai ende vuan dhimbje të vazhdueshme nga një gjendje kronike e muskujve – fibromialgia, që vjen nga fraktura në sup që e pësoi në aksident. Krahu i tij pësoi dëmtime të rënda nervore, të cilat as mjekët nuk ishin në gjendje t’i riparonin, ndërsa një dorezë kompresive përdoret për të ruajtur rrjedhjen e gjakut. /Telegrafi/

Pamje nga aksidenti i Freeman (Foto: Polaris)