Site icon Telegrafi

Frashër Krasniqi: Kush është më i rrezikshëm, ne apo Abdurrahim Islami që shkatërron provat?

Zëdhënësi i Vetëvendosjes dhe kandidati për deputet nga po kjo parti, Frashër Krasniqi, i cili po mbahet në arrest shtëpiak për më shumë se 9 muaj nën akuzat për terrorizëm, ka reaguar ndaj lajmit se prokurori Abdurrahim Islami ka shkatërruar provat lidhur me rastin e tij dhe të bashkëaktivistëve të tij.

Ai ka ngritur disa pyetje lidhur me këtë rast.

“Kush është më i rrezikshëm nëse lihet i lirë?”, pyet Krasniqi, duke shtuar “një prokuror që monton raste politike, apo 4 aktivistë që nuk kanë asnjë faj ndaj Republikës?”

Krasniqi pyet po ashtu nëse është më i rrezikshëm prokurori që shkatërroi provat për raste të rënda kriminale, apo 4 aktivistët që denoncuan vazhdimisht padrejtësitë në Kosovë.

“Një prokuror me karrierë të jashtëligjshme, apo 4 aktivistë që nuk i blenë diplomat por studiuan? Një prokuror që i shërben klanit Pronto, apo 4 aktivistë që i shërbejnë shoqërisë?”, pyet Krasniqi.

Krasniqi, thotë se Islami përbën rrezikun më të madh ndaj vendit, nën montimet e të cilit thotë se vdiq edhe aktivisti i ndjerë, Astrit Dehari.

“Abdurrahim Islami, nën montimin e të cilit vdiq Astrit Dehari, përbën rrezik për vendin tonë. Çdo ditë e tij në liri përbën rrezik për drejtësinë në Kosovë”, ka shkruar në Facebook, Krasniqi. /Telegrafi/

Exit mobile version