Telegrafi

Franca voton ligjin e diskutueshëm të imigracionit

Parlamenti francez votoi vonë dje një ligj të diskutueshëm dhe më të rreptë për emigracionin, i cili shkakton shqetësim në një pjesë të krahut të majtë të partisë në pushtet, dhe sipas mediave është e mundur dorëheqja e disa ministrave.

Meqenëse opozita në Asamblenë Kombëtare hodhi poshtë propozimin e qeverisë javën e kaluar, komisioni i përbashkët i Asamblesë Kombëtare dhe Senatit arritën një kompromis dhe ligji u miratua në të dy dhomat e parlamentit, transmeton Telegrafi.

Anëtarët e partisë së ekstremit të djathtë Mbledhja Kombëtare (RN) gjithashtu votuan për ligjin, raporton Reuters.

Një përfaqësues i partisë së Rilindjes së Macron e quajti atë mbështetje “puthja e vdekjes” dhe përfundoi: “tani jemi në duart e RN, kemi humbur në të gjitha frontet”.

Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, mbrojti ligjin përpara Senatit, duke thënë se do të lejojë punëtorët e huaj të marrin statusin ligjor.

“Me këtë ligj të imigracionit, ne do të dyfishojmë numrin e rregullimeve të të huajve që punojnë. Çdo vit, 10,000 punëtorë të huaj shtesë do të marrin statusin e rregullt”, tha ai.

Ai e prezantoi atë shifër për herë të parë për të qetësuar krahun e majtë, shkruan agjencia AFP.

Është hera e parë që presidenti Emmanuel Macron do t’i drejtohet opinionit sot dhe do të flasë për ligjin e ri, njoftoi televizioni BFM.

Rregullat më të rrepta për emigrantët shkaktojnë shqetësim në një pjesë të krahut të majtë të partisë së Macron, e mediat franceze spekulojnë se disa ministra mund të japin dorëheqje.

Ministri i Shëndetësisë, Aurélien Rousseau ishte i pari që e bëri këtë, raportuan Le Figaro dhe Le Parisien, por ata nuk mund të konfirmonin nëse kryeministrja Elisabeth Borne e kishte pranuar dorëheqjen.

Debati mbi ligjin e imigracionit ka përçarë qeverinë e qendrës së djathtë të udhëhequr nga presidenti Macron. Qeveria bëri lëshime të rëndësishme ndaj konservatorëve për të siguruar dritën jeshile për ligjin, por ajo zemëroi anëtarët e partisë me prirje të majtë.

Qeveria franceze thekson se qëllimi i ligjit të ri është kontrolli më i mirë i emigracionit dhe përmirësimi i integrimit të emigrantëve. /Telegrafi/