Ambasadori rus në Francë ‘u thirr për sqarime’ të premten në Ministrinë e Jashtme franceze rreth një postimi të mëparshëm të ambasadës në Twitter që Parisi e konsideroi të papranueshëm, tha ministria e jashtme.
Ambasada ruse në Paris të enjten kishte postuar një foto që përshkruante një trup të shtrirë në një tavolinë të quajtur “Evropa” me personazhe që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian duke futur hala në të.
“Këto postime janë të papranueshme. Ne ia kemi bërë të qartë këtë sot ambasadorit rus”, tha ministria në një deklaratë dërguar Reuters, përcjell Telegrafi.
“Ne po përpiqemi të mbajmë një kanal dialogu me Rusinë dhe këto veprime janë krejtësisht të papërshtatshme”.
Ministri i Çështjeve Evropiane të Francës, Clement Beaune, e kishte kritikuar postimin e karikaturës të enjten duke e quajtur atë “një turp” në përgjigje të vizatimit që ishte postuar më herët pasdite nga llogaria në Twitter e Ambasadës ruse në Francë.
Vizatimi – që tanimë është hequr – nënkuptonte se kontinenti evropian po shkatërrohej nga politikat e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe BE.
Ambasada ruse në Paris kishte caktuar kohën e publikimit të karikaturës që të përkonte me samitin e paprecedentë të trefishtë të së enjtes në Bruksel të NATO-s, G7 dhe Bashkimit Evropian për të diskutuar se si të trajtohej agresioni rus në Ukrainë. /Telegrafi/