Site icon Telegrafi

Franca po rimëkëmbet

Rritja ekonomike në Francë mund të tejkalojë parashikimin prej 0.4 për qind të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Kjo deklaratë është bërë nga Ministri francez i Financave, Michel Sapin gjatë një interviste për CNBC. “Të dhënat e tremujorit të tretë na bëjnë të besojmë se gjatë këtij viti, Franca do të arrijë objektivin për rritje prej 0.4 për qind, mbase edhe mund ta tejkalojë”, tha Sapin. Prodhimi i Brendshëm Bruto në ekonominë e dytë më të madhe në Europë, u rrit me 0.3 për qind në tremujorin e tretë.

Ndërsa në tremujorin e dytë Franca u kontraktua, duke u cilësuar edhe si “ekonomia e sëmurë e Europës”. Megjithatë, ministri paralajmëroi se rritja prej 0.4 për qind nuk është e mjaftueshme në terma afat-gjatë. OECD parashikon se Franca do të zgjerohet me 1 për qind në vitin 2015, por Sapin shprehet se kjo rritje nuk është e mjaftueshme për të siguruar përfitime të prekshme.

“Edhe me një rritje midis 1 dhe 1.5 për qind, që shpresojnë ta arrijmë shumë shpejt, ne nuk do të jemi në gjendje të ulim papunësinë dhe të ribalancojmë financat publike. Reformat strukturore dhe politikat e duhura fiskale dhe strukturore të investimeve, janë çelësi për të siguruar rritjen afatgjatë në Francë dhe Europë.

Presioni është në rritje për qeverinë franceze për të ulur deficitin buxhetor brenda objektivit të Komisioni Europian prej 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2015. Edhe punësimi është një ndër prioritetet kryesore të administratës së Presidentit Hollande. Aktualisht papunësia në Francë është mbi 10 për qind. /Telegrafi/

Exit mobile version