Site icon Telegrafi

Franca përfundon misionin për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit rus

Një grup ushtarak francez po përfundon stërvitjen e një brigade të re prej disa mijëra luftëtarësh ukrainas, të cilët do t’i bashkohen luftës kundër Rusisë.

Ata do të jenë të armatosur me tanke të furnizuara nga Franca dhe armatime të tjera të rënda.

Bëhet e ditur se grupi prej 2,000 ushtarësh ukrainas i njohur si brigada “Anne of Kyiv”, e cila i është nënshtruar dy muajve stërvitje intensive ushtarake në Francën lindore dhe jugore, po kalon hapat e fundit përpara se të kthehet në Ukrainë.

Ajo përfundimisht do të përbëhet nga 4,500 trupa të formuara nga batalione këmbësorie, inxhinierë, ekipe artilerie dhe specialistë të tjerë, kanë njoftuar autoritetet franceze.

Mbështetja ushtarake franceze për përpjekjet luftarake të Ukrainës

Ushtria franceze i kushtoi rreth 1,500 ushtarë grupit të punës “Champagne” për të mësuar ukrainasit se si të luftojnë në mënyrë efektive së bashku dhe si të përdorin dhe mirëmbajnë armatimet e tyre të furnizuara nga Franca.

Siç raportohet, arsenali i brigadës do të përfshijë 18 tanke AMX 10, 18 artileri Cezar të montuara në kamion, 128 transportues trupash të blinduara, sisteme raketore antitank dhe anti-ajrore, plus armatime dhe pajisje të tjera.

Ndryshe, trajnimi i trupave ukrainase vjen në një moment kritik në luftën gati trevjeçare, e cila nuk ka treguar shenja të ngadalësimit, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Të mërkurën, forcat ruse nisën një sulm të madh në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, me një kombinim të raketave dhe dronëve.

Forcat e tyre janë përforcuar nga deri në 12,000 ushtarë të Koresë së Veriut, të cilët janë dislokuar në rajonin kufitar të Kurskut për të luftuar kundër ukrainasve, sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, koreano-jugore dhe ukrainase.

Administrata e Bidenit rikonfirmon mbështetjen për Kievin

Administrata e Bidenit tha se është e vendosur të ndihmojë Ukrainën të luftojë Rusinë përpara se ajo t’i japë pushtetin presidentit të sapozgjedhur Donald Trump në janar.

“Biden do të dërgojnë sa më shumë ndihmë të jetë e mundur në Ukrainë në muajt e fundit të tij në pushtet”, deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Shtetet e Bashkuara janë aktualisht ofruesi më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Trump ende nuk ka dhënë detaje konkrete se cila do të jetë qasja e administratës së tij ndaj luftës, por ai ka thënë se do të konsideronte ndalimin e fondeve për vendin e shkatërruar nga lufta. /Telegrafi/

Exit mobile version