Ambasada e Francës në Kosovë ka mirëpritur vendimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për heqjen e tarifës 100 pë qind për produktet që vijnë nga Serbia e Bosnje e Hercegovina.
Ndër të tjera, në postimin e bërë nga Ambasada e Francës në Facebook, thuhet se pas heqjës së tarfës, koha është që të rindërtohet gradualisht besimi në mënyrë që të rifillohen negociata mes dy vendeve të duhëhequra nga Bashkimi Evropian, transmeton Telegrafi.
“Franca mirëpret vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti që të heqë plotësisht tarifat ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, të cilat u vendosën në nëntor të vitit 2018. Ky është një parakusht i rëndësishëm për rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Tani detyrë është që të rindërtohet gradualisht besimi në mënyrë që negociatat e udhëhequra nga BE të fillojnë së shpejti”, thuhet në postimin e Ambasadës.
Ndërkaq, për të tjera barriera tregtare jo-tarifore, sipas Ambasadës franceze duhet të diskutohen në kuadër të kornizës së dialogut.
“Ankesat e tjera që egzistojnë, si për shembull barrierat tregtare jo-tarifore, duhet të zgjidhen në kornizën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën BE-ja e lehtëson”, thuhet në këtë reagim.
Po ashtu, në këtë postim theksohet rëndësia e bashkëpunimit rajonal në këtë kohë kur bota po përballet me një pandemi.
Ambasada thekson se në këto rrethana nuk është koha për manovrime politike, por që të dy qeveritë duhet të përpiqen të tejkalojnë krizën shëndetësore.
“Të gjitha vendet, përfshirë Serbinë dhe Kosovën, po përballen me sfida të mëdha përballë virusit të ri, COVID-19. Kjo nuk është koha për manovrime politike. Të dy qeveritë duhet të përqendrojnë të gjitha përpjekjet e tyre në tejkalimin e krizës shëndetësore. Bashkëpunimi rajonal ka një rëndësi të madhe në këtë kontekst”, thuhet në reagim. /Telegrafi/