Site icon Telegrafi

Franca kalon 31 ditë pa reshje të konsiderueshme shiu, diçka e paprecedentë në dimër

Franca ka shënuar periudhën e saj rekord të thatësisë prej 31 ditësh pa reshje të konsiderueshme shiu, ka thënë shërbimi i motit i këtij vendi të martën.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, lajmi vjen mes shqetësimeve për rezervat ujore në pjesë të Evropës që ende po vuajnë nga thatësira e rëndë e vitit të kaluar.

Me reshje shiu në të gjithë vendin prej më pak se një milimetër në ditë që nga 21 janari, shërbimi i motit Meteo France tha se mungesa e reshjeve është e barabartë me rekordin e vendosur në pranverën e vitit 2020.

Dimri është normalisht një periudhë vendimtare për rimbushjen e niveleve të ujërave nëntokësore me reshje.

Dhe numri i ditëve pa shi “nuk është parë kurrë” në dimër më parë në të dhënat që dalin në vitin 1959, tha të martën Meteo France.

Muaji i kaluar ishte janari i tretë më i ngrohtë rekord në Evropë, me temperaturat në ditën e Vitit të Ri që arritën maksimalet e të gjitha kohërave në disa pjesë të kontinentit, sipas monitoruesit të klimës Copernicus të Bashkimit Evropian (C3S).

Evropa u përball me vitin e saj të dytë më të nxehtë ndonjëherë në 2022, me Francën, Britaninë, Spanjën dhe Italinë që vendosën rekorde të reja të temperaturës mesatare.

Nxehtësia u shoqërua nga thatësira e madhe, e paprecedentë në shekuj, në të gjithë rajonin.

Shërbimi World Weather Attribution vitin e kaluar llogariti se thatësira bujqësore dhe ekologjike mbi hemisferën veriore ishte të paktën 20 herë më e mundshme për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, duke paralajmëruar se periudha të tilla ekstreme të thata do të bëheshin gjithnjë e më të zakonshme me ngrohjen globale.

Në Spanjë, një nga vendet evropiane më të ekspozuara ndaj rrezikut të thatësirës, rezervat ujore aktualisht janë mesatarisht në 50.7 për qind të kapacitetit, krahasuar me një mesatare prej 60.8 për qind gjatë 10 viteve të fundit, sipas buletinit të fundit hidrologjik kombëtar.

Meteo France tha se periudha aktuale e thatë në vend nuk pritet të zgjasë shumë më gjatë.

Rekordi i mëparshëm për një periudhë të thatë dimërore në Francë ishte 22 ditë në vitin 1989. /Telegrafi/

Exit mobile version