Telegrafi

Franca i dhuron Kosovës 117 mijë vaksina Pfizer, Osmani: Beteja me COVID-19 ende nuk ka përfunduar

Republika e Francës i ka dhuruar Kosovës një donacion prej 117 mijë vaksinash të kompanisë Pfizer.

Lajmin e ka dhënë presidentja Vjosa Osmani, duke shprehur mirënjohje për presidentin francez Macron.

“Franca, dhe njëherë përgjatë këtij rrugëtimi sfidues, u dëshmua si një vend mik e solidar. Në emër të qytetarëve tanë, dua ta falënderoj Presidentin Macron dhe popullin francez për donacionin me 117,000 vaksina Pfizer. Një kontribut i duhur, në një kohë të duhur”, njofton presidentja, përcjell Telegrafi.

Osmani ka lavdëruar edhe qytetarët që sipas saj kanë treguar nivel të lartë të përgjegjësisë kolektive me rastin e fushatës së vaksinimit.

“Kosova ka arritur një nivel të mirë të vaksinimit dhe qytetarët tanë kanë treguar nivel të lartë të përgjegjësisë kolektive e vetëdijesimit. Por, kemi ende punë përpara. Siç u dëshmua në vende të tjera, doza e tretë është e domosdoshme për ta parandaluar një valë të re infektimesh”.

Presidentja në fund iu ka bërë thirrje edhe qytetarëve tjerë që të vaksionohen.

“Në prag të festave të fundvitit, dhurata më e mirë që mund t’i bëni vetes dhe më të dashurve tuaj është ruajtja e shëndetit tuaj. Andaj, ju lutem, vaksinohuni”, ka apeluar Osmani./Telegrafi/