Presidenti francez Emmanuel Macron ka emëruar sot ministren e Punës, Elisabeth Borne si kryeministren e re të vendit, gruan e parë në këtë funksion pas tri dekadave – pasi që kryeministri Jean Castex dha dorëheqje duke mundësuar rekonstruktimin e kabinetit qeverisës.
Në kumtesën zyrtare të Pallatit Elize, është theksuar se presidenti Emmanuel Macron pas 30 viteve ka emëruar një grua në pozitën e kryeministres së shtetit, transmeton Telegrafi.
Gruaja e vetme që një funksion të tillë e ka mbajtur më herët ishte Edith Cresson gjatë periudhës 1991-1992, në kohën e presidentit Francois Mitterand.
Borne sipas të gjitha gjasave do të merret me reformimin kontrovers të sistemit francez të pensionimit. Ajo më herët ka ushtruar postin e ministres së Transportit dhe Planifikimit Hapësinor, gjithashtu ishte kandidate në zgjedhje parlamentare nga partia e Macon.
Borne ka qenë drejtoreshë e planifikimit urban të qytetit të Parisit nga viti 2008 deri më 2013. Për shumë vite ishte anëtare e Partisë Socialiste që e braktisi në vitin 2017 – duke kaluar në Partinë Le Republiq En Marche që e udhëheq Macron. /Telegrafi/