Ne të gjithë i duam dasmat dhe jo vetëm për martesën si institucion, por edhe si një mundësi për argëtim, vallëzim, shoqërim dhe zakonisht ushqim të mirë.
Ceremonia dhe pritja, megjithatë, ka të bëjë më shumë me njerëzit që martohen, pasi jeta e tyre nis rrugëtimin si çift me atë ditë.
Nëse ndalemi për një minutë dhe vëzhgojmë sjelljen e çiftit do të kuptojmë gjithashtu se deri në çfarë mase do të zgjasë marrëdhënia e tyre.
Të paktën kështu thotë fotografja profesioniste e dasmave dhe TikTokerja, Shayla Herrington, e cila zbuloi tre shenjat kryesore që tregojnë se një martesë nuk do të zgjasë, të cilat thotë se i ka identifikuar pas një karriere 15-vjeçare në këtë fushë.
Shenja e parë e madhe është te fotot e çiftit. Jo ato standarde me njëri-tjetrin por tek ato me familjen apo miqtë e tyre.
“Më duket mjaft e arsyeshme. Sigurisht që do të dilni në foto me nënën, babanë, motrat e vëllezërit apo dhe kushërinjtë tuaj të preferuar. Por nëse partneri/ja juaj mungon në më shumë se tre foto, është mjaft e dyshimtë”, thotë fotografja në videon e shpërndarë.
Një shenjë e rëndësishme është edhe sjellja e miqve të nuses dhe dhëndrit.
Nëse shmangin të flasin për partnerin/erën e mikut apo mikes së tyre ose duket se e injorojnë atë, ndoshta nuk kanë marrëdhënien më të mirë me të.
“Është një shenjë tipike që ata nuk e pëlqejnë partnerin apo partneren e mikut të tyre dhe një tregues i divorcit, i cili mund të jetë më i afërt nga sa mendojnë të gjithë”.
Dhe shenja e fundit, por edhe shumë e rëndësishme, është nëse gjatë festës anëtarët e çiftit kalojnë më shumë kohë me miqtë e tyre sesa me partnerin e tyre.