Një fëmijë dhe një burrë, të fotografuar jashtë katedrales Notre-Dame para se të shpërthente zjarri është gjetur pas një kërkimi viral.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Brooke Windsor, 23 vjeçe, thotë babai dhe fëmija që ajo ka fotografuar rreth një orë përpara se të shpërthente zjarri, tanimë janë gjetur.
Ndryshe, fotografia e saj, që tregonte ata dy duke luajtur para ikonës 850-vjeçare, u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale.
Ajo i tha BBC se donte të ndante “kujtimin” me ta, duke nxitur një kërkim gjithandej.
Duke konfirmuar se ata ishin gjetur, zonja Windsor shkroi: “Kërkimi ka mbaruar! Fotoja ka arritur tek babai dhe familja”.
Megjithatë, sipas saj, burri dhe familja e tij, nuk duan të identifikohen.
Në vend të kësaj, zonja Windsor thotë se i kanë shkruar një mesazh asaj, ku shkruan: “Faleminderit për atë foto të bukur, do të gjejmë një vend të veçantë për të”.
Katedralja e Parisit, Notre Dame, e cila është përfshirë nga zjarri ku si pasojë është shembur çatia, konsiderohet si një nga shembujt më të mirë të arkitekturës gotike të Francës.
Ndërtimi i saj kishte filluar në vitin 1163, kurse pjesa më e madhe e saj kishte përfunduar saktësisht 100 vite më vonë. Ajo ishte e lartë 128 metra dhe e gjerë 48 metra.
“Ne do ta rindërtojmë Notre Dame edhe më bukur dhe unë dua që ajo të përfundojë në pesë vjet, ne mund ta bëjmë atë”, ka thënë z. Macron në një fjalim televiziv.
Fondi për të rindërtuar Katedralen e Notre Dame ka arritur një miliardë euro vetëm dy ditë pas zjarrit.
Madje, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, organizatorët e një apeli për restaurim thanë se shifra e pabesueshme po rritet gjatë gjithë kohës.
Kompanitë shumëkombëshe franceze janë ndër ata që kanë premtuar para për të rindërtuar katedralen mesjetare.
Kjo sasi e madh e parave, shkruajnë mediat, ka më shumë gjasa që të ndihmojë në atë që presidenti Emmanuel Macron tha se katedralja do të rivendoset në lavdinë e saj të mëparshme “brenda pesë vjetësh”. /Telegrafi/