Site icon Telegrafi

Fotografi nga përurimi i Klinikës Emergjente, Kurti: Transformim rrënjësor, investim rreth 800 mijë euro

Sot është bërë përurimi i Klinikës Emergjente pas investimeve që janë bërë prej rreth 800 mijë euro.

I pranishëm në përurim ishte edhe kryeministri Albin Kurti e ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“…Sot duket se nuk është e mundshme të njihet kjo klinikë për shkak të transformimit rrënjësor që ka përjetuar… Të gjithë e dimë që për mjekët që shërojnë dhe pacientët që kërkojnë shërim shumë më të rëndësishme janë kushtet e punës dhe shërimit…”, tha Kurti.

Ai tutje shtoi se për renovimin e kësaj klinike kanë investuar rreth 800 mijë euro.

Në këtë klinikë siç u tha është punuar në hapësirën e triazhimit, është riorganizuar sporteli, janë rregulluar nyjat sanitare, është rritur numri i shtretërve etj.

“Mjekët dhe infermierët nuk është dashur të përballen vetëm me rastet urgjentet, por edhe me kushtet e vështira të punës… tani kushtet e punës i kanë në anën e tyre…”, tha ndër të tjera Kurti.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se investimet e tilla dhe procese të tjera janë duke vazhduar në QKUK, si edhe në spitalet regjionale.

Ministri Vitia falënderoi të gjithë profesionistët shëndetësorë dhe theksoi se ky rezultat sot është meritë e kërkesave dhe punës së tyre.

“Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar për të siguruar kushte sa më të mira për qytetarët në shëndetësinë publike”, tha tutje ai. /Telegrafi/

 

Exit mobile version