Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, nëpërmjet fotoekspozitës “Përjetësisht në memorien shqiptare”, në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, ka kujtuar 32 vjetorin e themelimit të saj.
Kryetari i kësaj shoqate, Jahja Lluka, për Telegrafin tha se qëllimi i kësaj fotoekspozite është që ta ngritë vetëdijen për mos ikjen e të rinjëve nga Kosova – e po ashtu të mos harrohet edhe historia e shqiptarëve të Kosovës.
“Qëllimi i kësaj ekspozite mundet të thuhet me dy fjalë “Përjetësisht në memorien tonë”, që të mos ta harrojmë të kaluarën e cila për popullin shqiptar ka qenë shumë tragjike. Me qindra e mijëra njerëz të larguar në bazë të projekteve serbe dhe ne kemi bërë përpjekje që t’iu shpjegojmë njerëzve që qëllimi kryesor i serbisë është që Kosova të mbetet pa shqiptarët ”, deklaroi Lluka.
Lluka shtoi se shoqata të cilën ai e drejton ka organizuar 660 tubime kundër ikjes së të rinjve nga Kosova.
“Ne kemi themeluar lëvizjen kundër ikjes. Po ashtu kemi organizuar 660 tubime nëpër të gjitha fshatrat e Kosovës për t’iu shpjegu njerëzve që duhet të qëndrohet në Kosovë”, tha Lluka.
Anëtari i kësaj shoqate Mulla Xhevat Kryeziut, tha se kjo fotoekspozitë e tregon më së miri tmerret dhe persekutimet që i ka bërë Serbia në Kosovë.
“Kjo ekspozitë më së miri e tregon gjendjen faktike historike, vuajtjet dhe persekutimet dhe ato tmerre që i ka bërë Serbia, mund të shihen këtu. Unë jam pjesë e kësaj shoqate dhe kemi punuar e po ashtu edhe jemi angazhuar për ta ndalë shpërnguljen. Por presioni i Serbisë ka bërë që shqiptarët të largohen nga trojet e veta”, theksoi mulla Kryeziu.
E Mulla Xhevati kishte edhe një mesazh, të cilin dëshironte ta përcillte tek të gjithë ata që e shikojnë këtë fotoekspozitë.
“Mesazhi im le të jetë, që unë apeloj te rinia shqiptare ta duan atdheun e vet, të mos shpërngulen sepse Kosova ka resurse që të mbesim gjallë këtu dhe për tu bërë Zvicër apo Gjermani. Këtu e kemi të ardhmen këtu e kemi mirësinë, këtu e kemi kombin dhe këtu duhet të shërbejmë dhe të kontribuojmë”, u shpreh Kryeziu.
Kurse Igballe Vokshi pjesëmarrëse në këtë fotoekspozitë, thotë që në ato foto të ekspozuara e gjen veten, duke ia kujtuar peripecitë e kaluara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“ Kjo është një histori e shqiptarëve për të cilën qëllimi i armikut ka qenë të t’i përjashtojë të gjithë shqiptarët nga Kosova. Koha po kalon por ka raste të cilat duken shumë të reja në memorien tonë. Ne vet i kemi përjetuar këto momente kur na kanë dëbuar. Unë e gjej veten këtu në këtë foto. Kjo është foto që personalisht nuk jam këtu por e kam përjetu këtë ngjarje këtu në stacionin e trenit në Prishtinë. Ku për kohë të gjatë kemi pritur për me hip në tren dhe me na dëbu nga Kosova”, përfundoi Vokshi./Telegrafi/