Site icon Telegrafi

Foto me Osmanin dhe Kurtin, Hovenier: Ishte një festë madhështore e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka publikuar një foto të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti gjatë kremtes së organizuar me rastin e 246 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

“Kishim një festë madhështore duke kremtuar Ditën e Pavarësisë së SHBA-së me miqtë tanë kosovarë sonte Ambasadën e SHBA në Prishtinë. Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen dhe faleminderit stafit tonë për organizimin e kësaj ngjarjeje të bukur”, ka shkruar ambasadori amerikan në Twitter, transmeton Telegrafi.

Ndërsa në fjalimin e tij para mysfirëve të ftuar ambasadori Hovenier tha se jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë janë arsyet pse SHBA-të kanë qenë përkrahëse e hershme, e flaktë dhe e përkushtuar e pavarësisë së Kosovës dhe shtoi se tash mbeten të palëkundur duke mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës.

Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të palëkundura në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Ai ka thënë se kjo bazohet në premtimin amerikan se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, dhe se Krijuesi i tyre i ka pajisur me disa të drejta të patjetërsueshme, mes tyre janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë.

“Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara ishin një përkrahës i hershëm, i flaktë i pavarësisë së Kosovës. Kjo është arsyeja pse ne mbetemi të palëkundur në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, ka thënë ai.

/Telegrafi/

Exit mobile version