Fosili më i madh dhe më i plotë i një stegosaurusi i zbuluar ndonjëherë, është shitur për 44.6 milionë dollarë në Sotheby’s në New York, duke u bërë fosili më i vlefshëm i shitur në ankand.
Bëhet e ditur se mbetjet e dinosaurit të ashtuquajtur “Apex”, tejkaluan vlerësimin e ulët të para-shitjes me më shumë se 11 herë.
Ai u zbulua në një tokë private në Moffat, Kolorado, nga paleontologu Jason Cooper në pronën e tij në vitin 2022.
“Apex” është 3.4 metra i gjatë, më i madh se “Sophie”, ekzemplari më i paprekur i stegosaurusit, i cili ishte ekspozuar në Muzeun e Historisë Natyrore të Londrës.
Siç raportohet, ai iu shit një blerësi anonim i cili synon të eksplorojë huazimin e ekzemplarit në një institucion amerikan, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Pas shitjes, blerësi u shpreh: “Apex ka lindur në Amerikë dhe do të qëndrojë në Amerikë”.
Cassandra Hatton, drejtuesja globale e shkencës dhe kulturës popullore e Sotheby, tha: “Apex e përmbushi emrin e tij sot, duke frymëzuar ofertuesit globalisht për t’u bërë fosili më i vlefshëm i shitur ndonjëherë në ankand”.
“Kjo shitje ka vite që po bëhet, dhe në çdo hap, ne kemi punuar ngushtë me Jason Cooper, që nga momenti i zbulimit në Kolorado, deri në shitjen në New York”, shtoi Hatton.
“Jam e emocionuar që një ekzemplar kaq i rëndësishëm tani ka zënë vend në histori. Ky rezultat i jashtëzakonshëm nënvizon angazhimin tonë të palëkundur për të ruajtur këto thesare të lashta”.
Ndryshe, “Apex” renditet lart në mesin e skeleteve më të plotë të gjetur ndonjëherë, me 254 elemente kockash fosile nga një total prej 319.
Ankandi arriti në përgjithësi 45.8 milion dollarë, totali më i lartë ndonjëherë për një ankand të historisë natyrore. /Telegrafi/