Site icon Telegrafi

Forumi për Gratë, Kurti: Viktimat e luftës çnjerëzore të Serbisë sot janë heroinat tona

Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se Kosova angazhohet për paqe dhe drejtësi në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, themeli i arritjes së paqes është drejtësia për viktimat dhe ndëshkimi i krimeve.

Kurti në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, tha se dialogu i mirë mund të zhvillohet kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve.

“Kosova angazhohet për paqe dhe drejtësi në Ballkan. Ne besojmë se themeli i paqes është drejtësia për viktimat dhe ndëshkimi i krimeve. Dialogu i mirë mund të zhvillohet kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve”, tha ai.

Kreu qeveritar tha gratë e dhunuara gjatë luftës ishin subjekt i luftës çnjerëzore të Serbisë, ndërsa sot janë heroinat tona.

Lexo po ashtu Nis Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë - mbi 1 mijë pjesëmarrës nga 40 shtete të botës

“Ato që para një çerek shekulli ishin subjekt i luftës çnjerëzore të Serbisë, sot janë heroina tona, heroina të zëshme e të heshtura. Ndonëse nuk ua dimë emrat, të gjithëve ua dimë forcën. Nuk mund të ecim drejt paqes globale pa reflektuar thellë në atë se çka do të thotë të jesh njeri”, shtoi ai.

Ai përmendi edhe angazhimin që sipas tij ka bërë ekzekutivi në punësimin e grave.

“Veprimet tona duhet të flasin më fort sesa fjalët që themi. Ne po zbatojmë ligje që garantojnë barazi në të drejta, po bëjmë politika dhe po ndajmë fonde që garantojnë barazi në mundësi”, përfundoi ai.

Exit mobile version