Kreu i sindikatave të punës nëm Izrael, “Histadrut”, i cili përfaqëson qindra mijëra punonjës të sektorit publik, bëri thirrje për një grevë të përgjithshme me fillim në ora 06:00 (të hënën) për t’i bërë presion qeverisë që të arrijë një marrëveshje për kthimin e pengjeve izraelitë të mbajtur ende nga Hamasi në Gaza.
Arnon Bar-David u bëri thirrje të gjithë punëtorëve civilë që t’i bashkohen grevës ndërsa deklaroi se aeroporti Ben Gurion, qendra kryesore e transportit ajror të Izraelit, do të mbyllet nga ora 08:00.
“Hebrenjtë po vriten në tunelat e Gazës. Është e pamundur të kuptohet dhe duhet të ndalet”, ka thënë ai në një konferencë shtypi pas një takimi me Forumin e Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura në Tel Aviv pas konfirmimit të vdekjes së gjashtë pengjeve të tjera të marra në sulmin e 7 tetorit nga Hamasi, shkruan theguardian.
“Po marrim qese me trupa në vend të një marrëveshjeje. Kam arritur në përfundimin se vetëm ndërhyrja jonë mund të lëvizë ata që duhet të lëvizen. I bëj thirrje popullit të Izraelit të dalë në rrugë sonte dhe nesër dhe që të gjithë të marrin pjesë në grevë”, pohoi ai.
Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura, organizatë e familjes së pengjeve, më herët sot i bëri thirrje publikut “të bashkohet në një demonstratë masive, duke kërkuar paralizimin e plotë të vendit”.
Komunat e Tel Avivit, Kfar Saba dhe Givatayim kanë thënë të gjitha se do t’i bashkohen një greve mbarëkombëtare në mbështetje të familjeve të pengjeve.
Ndryshe, Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant i ka kërkuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahut që të arrijë një marrëveshje armëpushimi me Hamasin për të sjellë pengjet e mbetura në shtëpi nga Gaza.
Netanyahu ka këmbëngulur në mbajtjen e trupave në korridor për të parandaluar Hamasin nga kontrabandimi i armëve nga Egjipti, por kjo shihet si një nga pengesat kryesore për një marrëveshje me Hamasin.
Gallant është përplasur vazhdimisht me kryeministrin izraelit rreth arritjes së një armëpushimi në Gaza, ku do të ktheheshin pengjet e mbetura në këmbim të të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli.
Rreth një e treta e 101 pengjeve izraelitë dhe të huaj besohet se kanë vdekur. Fati i pjesës tjetër nuk dihet. /Telegrafi/