Përfaqësuesja e Kosovës do të tentojë që të mbyllë fazën e ndeshjeve të tetorit me fitore, derisa është nikoqir i Gjeorgjisë.
Dardanët kanë katër pikë në Grupin B dhe sot (e martë) i presin gjeorgjianët në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45.
Bernard Challandes përmes konferencës për media bëri të ditur se ata duhet të luajnë më fizikisht dhe mos t’i bëjnë gabimet e njëjta si në humbjen 3-0 ndaj Suedisë në javën e kaluar.
Për këtë takim të sotëm, strategu zviceran pritet të luajë me skemën 4-3-3 dhe redaksia e Telegrafi ua sjell atë:
Në portë pritet të jetë Arijanet Muric, që ishte fantastik me disa pritje të tij në takimin ndaj suedezëve, duke u vlerësuar lartë edhe nga tifozët e Kosovës.
Në mbrojtje do të jenë katërshja, Mërgim Vojvoda dhe Fidan Aliti nga krahët, me Amir Rrahmanin e Betim Fazlijin që luajnë në qendër.
Ibrahim Dreseviq do të jetë sërish në rolin e mesfushorit defanziv, derisa para tij do të jenë të vendosur Bersant Celina dhe Florian Loshaj.
Në sulm, Vedat Muriqi do të ndihmohet nga Milot Rashica e Elbasan Rashani, duke shpresuar të shënojnë gola.
Kujtojmë se Kosova e fitoi takimin e parë si mysafir i Gjeorgjisë me rezultat minimal 1-0 dhe goli u realizua nga Muriqi. /Telegrafi/