Site icon Telegrafi

Formacioni më i mirë i xhiros së 31-të në BKT Superligën e Kosovës

Janë mbyllur të gjitha ndeshjet e javës së 31-të në BKT Superligën e Kosovës, ku nuk munguan derbit.

Ballkani ka fituar trilerin me pesë gola ndaj Dritës, me rezultat 3-2, që ishte dhe derbi i kësaj jave.

Llapi në anën tjetër ka fituar si mysafir i Malishevës me rezultat 2-0. Prishtina ka mposhtur Gjilanin si mysafir (2-1), ndërsa Drenica ka fituar ndaj Ulpianës (3-1).

Lexo po ashtu Renditja në BKT Superligën e Kosovës pas javës së 31-të: Ballkani ka filluar festën, mbijetesa interesant

Ashtu siç ishte pritur, Dukagjini ka shënuar fitore ndaj Feronikelit (4-0).

Ballkani ka arritur të tubojë deri më tani 69 pikë, 14 më shumë se sa Drita dhe Gjilani që kanë nga 55-të.

Duke u bazuar në ndeshjet e zhvilluara në këtë fundjavë, redaksia e Telegrafit ka zgjedhur më të mirët.

Portier

Në portë është Ilir Avdyli. Portieri i Llapit edhe pse në një fushë të vështirë si ajo e Malishevës, arriti që ta mbajë portën e paprekur.

Paraqitjet e portierëve të tjerë nuk ishin në nivel, duke bërë që ajo e Avdylit të  vlerësohet më lartë.

Mbrojtja

Mbrojtja vjen me tre. Në të majtë është Leonit Abazi, që kishte një paraqitje shumë të mirë ndaj Gjilanit, ku edhe asistoi te goli i fitores.

Në qendër është Elvis Prençi, i cili po shkëlqen këtë sezon, ndërsa ndaj Malishevës ishte prej më të mirëve në fushë.

Në të djathtë është Besnik Krasniqi, që edhe ndaj Gjilanit gjeti golin, ndërsa edhe në fazën e mbrojtjes ishte i jashtëzakonshëm.

Mesfusha

Mesfusha vjen me katër. Si fundor është i vendosur ‘maestro’ Fatlum Gashi i Drenicës, i cili ishte ideator i dy golave të kuqezinjve, me pasimi të sakta dhe të një niveli tjetër.

Më i avancuar është ‘raketa’ Arbnor Ramadani, i cili një të tillë e lansio edhe ndaj Malishevës, ku skuadra e tij në fund shënoi fitore.

Në mesfushë ka vend edhe për Ergyn Ahmetin, i cili duhet se i ka munguar shumë Dukagjinit, edhe pse për kundërshtar kësaj radhe kishin Feronikelin, ai shënoi gol të bukur dhe asistoi.

Më i avancuari nga mesfushorët është Nazmi Gripshi, i cili shënoi në derbi, ndërsa në përgjithësi zhvilloi ndeshje shumë të mirë në aspektin individual.

Sulmi

Faza e sulmit vjen me tre. Në të majtë është Ermal Krasniqi i cili zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj Dritës. Ai shënoi një herë, ndërsa një herë ‘detyroi’ Ilir Blakqorin të shënonte në portën e tij.

Në qendër është Armend Abazi, i cili ishte enigmë e pazgjidhur për mbrojtjen e Ulpianës, duke shënuar dy herë dhe dy asistuar një herë tjetër.

Në të djathtë është Gauthier Mankenda, i cili arriti të shënojë një gol të bukur ndaj Gjilanit, që ia sollën tri pikë Prishtinës.

Trajner

Strategu i javës është Abdulah Ibrakovic, i cili me Prishtinën e tij mori tri pikë të rëndësishme ndaj Gjilanit.

Skuadra e tij edhe pse ishte në disavantazh, arritën të kthehen për të fituar në fund. /Telegrafi/

Exit mobile version