Të martën e kësaj jave përfundoi faza e 1/8-ës së finales në Kampionatin Botëror, me disa ndeshje që prodhuan befasi dhe dolën jashtë parashikimeve të shumëkujt.
Derisa turneu më i madh për përfaqësuese në botë ka filluar më 19 dhjetor, përfundoi aktualisht fazën e 1/8 së finales më 6 dhjetor, redaksia e sportit në Telegrafi.com ka përpiluar formacionin e lojtarëve që kishin paraqitje më të mirë në këtë fazë.
Shumica e favoritëve kaluan tutje në këtë pikë të Botërorit, por padyshim befasia më e madhe ishte eliminimi i Spanjës nga Maroko, njëri prej pretendentëve për të fituar trofeun.
Holanda, Argjentina, Kroacia, Brazili, Anglia, Franca, Portugalia dhe Maroku kaluan në çerekfinale e finales, derisa do të jenë përballje mjaftë të zjarrta se kush do ta sigurojë vendin për në gjysmëfinale.
Por, për ata që shkëlqyen në 1/8 e finales, Telegrafi Sport ka përpiluar një formacion në skemën 4-3-3:
Në portë është portieri i Kroacisë, Dominik Livakovic, që përveç që stopoi disa goditje në ndeshjen me Japoninë që shkoi në gjuajtjen e penalltive (me rezultatin 1-1 në kohë të rregullt dhe pas vazhdimeve), ai priti edhe tri gjuajtje nga pika e bardhë, për ta ndihmuar ekipin e tij që të shkojë në çerekfinale.
Para tij janë të vendosur katër mbrojtës, me krahun e djathë që është i pushtuar nga Denzel Dufmries i Holandës që dhuroi dy asistime dhe realizoi një gol në fitore 3-1 ndaj ShBA-së, për të ndihmuar Tulipanët që të kalojnë në çerekfinale.
Në qendër është Pepe i Portugalisë, që përveç se ndërpreu të gjitha sulmet në fitoren 6-1 ndaj Zvicrës, ai ia doli edhe të shënonte gol në minutën e 33-të të takimit, për rezultatin 2-0. Si partner i tij është anëtari i Besiktasit, Romain Saiss që ndihmoi Marokun të mbante portën e paprekur për 120 minuta me së paku pesë ndërhyrje të tij vendimtare, derisa marokenët më pas fituan përmes penalltive, pasi koha e rregullt dhe ajo shtesë përfunduan pa gola.
Në krahun e majtë të mbrojtjes në një performancë mahnitëse të Portugalisë ndaj Zvicrës, është Raphael Guerreiro, që përveç asistimit te goli i Rafael Leaos, pati edhe gjashtë ndërhyrje kyçe.
Mesfusha vjen me tre, ku në qendër të saj është Sofyan Amrabat i Marokut dhe tregoi më së miri se si është të luash në rolin e një mesfushori defanziv, duke ndërprerë çdo aksion të spanjollëve, që nuk arrini të depërtonin pas tij, pasi loja e tyre ishte tashmë e ekspozuar në mendjen e tij.
Si partner të tij, por më të avancuar, është fillimisht Jude Bellingham i Anglisë, që hapi llogarinë e asistimeve në fitoren 3-0 të Tre Luanëve ndaj Senegalit, me Jordan Hendersonin që përfitoi nga një masterklas i anëtarit të Borussia Dortmundit për rezultatin 1-0 dhe pati së paku katër ndërhyrje kyçe. Me të në këtë formacion në fazën defanzive është edhe Lucas Paqueta i Brazilit, që në fitoren 4-1 ndaj Koresë së Jugut, ishte i pandalshëm me ndërprerjen e aksioneve, por edhe shënimin e golit të katërt.
Në krahun e majtë të sulmit nuk ka se si të mungonte Kylian Mbappe që terrorizoi mbrojtjen e Polonisë në fitoren 3-1, me shpejtësinë dhe fizikun e tij. Ylli i Paris Saint-Germain shënoi dy gola në këtë takim, derisa asistoi edhe te goli i Olivier Giroudit, që shkroi histori te Les Blues, duke çuar numrin e golave të tij në 52-të, një më shumë se Thierry Henry, që e mbante rekordin.
Në krahun e djathtë është i magjishmi Lionel Messi që ndihmoi Argjentinën të triumfonte 2-1 ndaj Australisë dhe mbrojtja e këtyre të fundit mezi arritën ta stoponin gjuajtjet e tij dhe hapësirat që krijonte për bashkëlojtarët.
E ky rreth i Botërorit shfaqi një qershi mbi tortë dhe ai ishte Gonçalo Ramos i Portugalisë që startoi në vend të Cristiano Ronaldos, duke e shpërblyer besimin e trajnerit Santos me një het-trik dhe dhuroi një asistim te goli i katërt i realizuar nga Guerreiro në minutën e 55-të. /Telegrafi/