Ka përfunduar me sukses dhe pa befasi java e 26-të e Ipko Superligës së Kosovës në futboll.
Java e 26-të ka sjell ndeshje interesante, ku favoritët si Feronikeli dhe Prishtina kanë fituar ndaj Lirisë dhe Ferizajt, ndërsa derbin i madh në mes të Gjilanit dhe Dritës ka përfunduar me barazim.
Fitore ka shënuar edhe Ballkani në shtëpi ndaj Flamurtarit, Drenica ndaj Trepçës ’89 dhe Llapi ndaj KEK-ut.
Redaksia e Telegrafi Sport i ka zgjedhur më të dalluarit e javës së 26-të.
Portier
Kenan Haxhihamza e gjen veten përsëri në formacionin më të mirë të javës.
Portieri i Gjilanit ishte vendimtar me pritjet e tij duke ia siguruar një pikë ekipit të tij në derbin e qytetit ndaj Dritës.
Mbrojtja
Krahët e mbrojtjes janë të përbërë nga Armend Thaçi i Prishtinës, i cili pati super-paraqitje ndaj Ferizajt duke shënuar edhe një gol të bukur nga gjuajtja e lirë dhe Uran Shala i Ballkanit që ishte i pakalueshëm ndaj Flamurtarit.
Në qendër e shohin veten dy kapiten, ai i Feronikelit, Lapidar Lladrovci, i cili ishte lider i mbrojtjes ndaj Lirisë dhe ai i Dritës, Ardian Limani që bëri sulmuesit e Gjilanit të mos vërehen në derbi.
Mesfusha
Mesfusha përbëhet nga dy lojtarë.
Diar Miftaraj i Prishtinës ishte motor i skuadrës ndaj Ferizajt dhe Edvic Kuc i Ballkanit, i cili përveç paraqitjes së mirë shënoi edhe një gol ndaj Flamurtarit.
Sulmuesit
Në qendër të sulmit e sheh veten Kastriot Rexha, i cili shënoi dy gola në fitoren e lartë të Niklit ndaj Lirisë. Pas Rexhës renditet bashkëlojtari i tij Astrit Fazliu që asistoi në të dy golat e shënuara nga shtatlarti.
Në krahët e sulmit vend kanë zënë ylli i Prishtinës, Meriton Korenica që po përjeton një formë të lartë dhe gjeti golin edhe ndaj Ferizajt dhe Kreshnik Uka, i cili ishte vendimtar me dy golat e tij në fitoren e Drenicës ndaj Trepçës ’89.
/Telegrafi/