Të shtunën janë mbyllur ndeshja e javës së XII mysafirët arritën suksese të mëdha.
Feronikeli fitoi ndaj Trepçës ‘89 në ‘Riza Lushta’ me rezultat të ngushtë 1-0.
Prishtina fitoi si mysafire e Gjilanit (3-0), ndërsa Llapi fitoi 2-0 ndaj Drenicës në Bajram Aliu.
Drita mposhti KEK-un, ndërsa Flamurtari fitoi në Ferizaj.
I vetmi vendas që mori tri pikë është Ballkani që mposhti Lirinë.
Telegrafi ka zgjedhur 11 më të dalluarit e javës.
Portieri
Në portë më i miri i javës është Florijan Smakiqi, i cili fitoi në konkurrencë të ngushtë me Afrim Ademi e Llapit që kishte po ashtu paraqitje të shkëlqyer.
Smakiqi tregoi se është portier me të ardhme, sidomos në minutat e fundit, ku bëri disa pritje të pamundura.
Mbrojtja
Në të djathtë është i vendosur ‘xhokeri’ i Llapit, Bujar Idrizi, i cili luan në çdo pozitë. Ai shënoi gol të jashtëzakonshëm kundër Drenicës.
Në qendër është Arbër Prekazi që shënoi golin e vetëm të Feronikelit dhe Armend Dallku që luajti me personalitet kundër Gjilanit.
Në të majtë Yll Hoxha, me harkimin e të cilit erdhi goli i Niklit. Paraqitja e tij ishte shumë e mirë në të gjithë ndeshje.
Mesfusha
I rilinduri Lorik Boshnjaku e ka gjetur vendin në mesfushë dhe tani edhe po shënon. Me të si fundor është edhe ‘motori’ i Llapit, Hamdi Namani.
Të avancuar janë Egzon Krasniqi i Flamurtarit që shënoi dhe dha asistim në fitore ndaj Ferizajt, Meriton Korenica që shënoi ndaj Gjilanit dhe Eljasa Zulfiu që shënoi dy herë në fanellën e kuqezinjve nga Prishtina.
Sulmi
Shpëtimtari i Ballkanit këtë sezon quhet Borce Manevski. Ai sa herë shënon Ballkani merr pikët e plota.
Kundër Lirisë erdhi nga banka dhe shënoi për t’ia dhënë tri pikë skuadrës së tij. /Telegrafi/