Telegrafi

Formacioni i javës së 14-të në BKT Superligën e Kosovës

Ka përfunduar me sukses xhiro e 14-të në elitën e futbollit kosovar BKT Superligën e Kosovës.

Gjatë vikendit janë zhvilluar pesë ndeshjet e vlefshme për javën e 14-të, ku nuk kanë munguar befasitë, por edhe paraqitjet e mira të disa lojtarëve.

Ndeshja e parë e javës mes Dukagjinit dhe Prishtinës u mbyll me barazim 0-0, ndërsa derbi i javës i takoi Llapit, i cili mposhti me rikthim 4-1 Ballkanin.

Në këtë javë, Gjilani fitoi në udhëtim 2-1 të Ulpiana, Drita mposhti 1-0 Drenicën dhe Malisheva triumfoi 0-1 te Feronikeli.

Si gjithnjë redaksia e sportit në portalin Telegrafi.com zgjedh më të mirët e javës në BKT Superligë.

Portier

Portieri i Dukagjinit, Kenan Haxhihamza zë vendin në formacionin e javës pasi pati një paraqitje bravuroze ndaj Prishtinës, duke bërë disa pritje të jashtëzakonshme dhe duke qenë njëri nga lojtarët kryesor të barazimin 0-0.

Mbrojtja

Në krahun e djathtë ka zënë vend Ardin Dallku i Dukagjinit, duke bërë një paraqitje të mira në ndeshjen e barazuar ndaj Prishtinës, ndërsa krahu i majtë është blinduar nga Yll Hoxha i Gjilanit.

Qendra e mbrojtjes formohet nga Bujar Idrizi i Llapit që ishte lider i ekipit në fitoren ndaj Ballkanit, ndërsa përkrah tij vjen Ardian Cuculi, ishte ndër më të mirët në fitoren e vuajtur ndaj Drenicës.

Mesfusha

Në mesfushë shkëlqyen Albert Dabiqaj që përveç paraqitjes së mirë shënoi edhe një gol ndaj Ulpianës dhe Kushtrim Shabani, i cili me Llapin gjithashtu shkëlqeu dhe shënoi në përballjen ndaj Ballkanit.

Sulmi

Qendërsulmues padyshim se është Marko Simonovski i Dritës, pasi ishte shënuesi i vetëm në fitoren e minutave të fundit ndaj Drenicës.

Në treshen e sulmit pas Simonovskit vijnë dy lojtarët e huaj të Malishevës, Yoan Marc-Oliver dhe Ronald Sobowale, pasi ishin më meritoret në fitoren e tyre në udhëtim te Feronikeli. Së bashku me ta në treshen e sulmit vjen edhe Alef Firmino, i cili me Llapin shkëlqeu duke ardhur nga banka dhe duke shënuar dy gola të shpejt në rikthimin ndaj Ballkanit.

Trajneri i javës

Tahir Batatina merr epitetin e trajnerit të javës. Ekipi i trajnerit llapjan arriti të fitojë derbin e javës ndaj Ballkanit dhe atë me rikthim të frikshëm nga 0-1 në 4-1, duke vazhduar formën e mirë të ekipit dhe ngjitjen në tabelë pas nisjes jo të mirë të sezonit.

/Telegrafi/