Site icon Telegrafi

Formacionet e mundshme Barcelona – Real Madrid: El Clasico e parë do të luhet në Amerikë

Ka mbërritur klasikja e parë e sezonit. Barcelona dhe Real Madridi do të përballen sërish në turneun parasezonal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me fillim nga ora 01:00 në mesnatë.

Las Vegas 2022, Dallas 2023, New Jersey 2024 kanë qenë skenat e tre përballjeve të fundit mes blaugranasve dhe ‘Los Blancos’, që prej se kjo ndeshje u bë një ‘traditë’ në Amerikë, pas klasikes së Miamit që u zhvillua në 2017.

Deri më tani Barcelona dominon bindshëm në ndeshjet miqësore, pasi i ka fituar të gjitha përballjet me Real Madridin në Amerikë.

Real Madridi ka humbur miqësoren e parë të zhvilluar me rezultat 1-0 ndaj Milanit, ndërsa të besuarit e Flick arritën që ta mposhtin Manchester Cityn me penallti.

Megjithëse rivaliteti mes dy ekipeve i jep kësaj ndeshje një rëndësi të veçantë, prioriteti i Hansi Flick në këtë ndeshje është të vazhdojë të testojë lojtarët e rinj tek të cilët ai beson si dyshja Marc Bernal dhe Marc Casado që shkëlqyen ndaj Man Cityt.

Flick minuta pritet t’i dhurojë edhe senatorëve siç janë Gundogan, Christensen, Raphinha dhe Ter Stegen, me këtë të fundit që me gjasë do ta nis nga minuta e parë.

Ancelotti në anën tjetër pritet që nga minuta e parë në këtë takim ta aktivizojë Eder Militaon në qendër të mbrojtjes, ndërsa pjesa tjetër e fazës defanzive mbetet e pandryshuar.

Në mesfushë pritet të ketë një ndryshim për dallim nga ndeshja me Milanin, pasi tani Arda Guler do të aktivizohet në mesfushë, ndërsa sulmi pritet të përbëhet nga Brahim, Endrick dhe Rodrygo.

Gjatë pjesës së dytë tekniku italian pritet që t’i dhurojë minuta edhe Vinicius Jr i cili pak ditë më parë iu bashkua ekipit në Amerikë./Telegrafi/

Exit mobile version