Telegrafi

Forca e karakterit dhe lidershipi: Zotësia e Ismail Qemalit, si guvernator i Bejrutit

Ismail Qemali (retushim me IA i fotos së vitit 1890)

Një njeri duhet të bëjë atë që duhet – pavarësisht pasojave personale, pavarësisht pengesave, rreziqeve dhe presioneve – dhe ky është thelbi i dinjitetit njerëzor.
– John F. Kennedy

Nga: Evarist Beqiri

Lidershipi kërkon atë që Aristoteli e quante “përsosmëria e karakterit” (êthikai aretai) apo virtytet morale. Nëse do të vlerësojmë lidershipin e dikujt, kolona kryesore përbërëse e lidershipit individual është fuqia e karakterit të tij. Lidershipi është një kombinim midis fuqisë së karakterit dhe strategjisë. Në këtë kombinim karakteri merr më tepër rëndësi. Karakteri është thelbi i lidershipit. Zgjuarsia dhe strategjia ka rëndësinë e saj, por pa karakterin e fortë ato nuk të shërbejnë shumë.

Ismail Qemali besonte se udhëheqësi duhet të jetë i drejtë dhe i duruar, në këtë mënyrë mund të qeverisë lehtësisht edhe në rajone të vështira si ato lindoret. Marrëdhënia e shëndetshme e besimit që ai arrinte të krijonte me popullsinë e vendit ku qeveriste, do t’i vinte në ndihmë edhe në momente të vështira të karrierës.

Lideri duhet t’i luftojë gjithmonë padrejtësitë. Martin Luther King Jr. thoshte se: “Padrejtësia ndokund është një kërcënim për drejtësinë gjithkund”.

Sjellja dhe qëndrimi që ne mbajmë janë shpirti i lidershipit. Ato dalin në pah, sidomos në situata krizash, kur marrja e vendimeve të caktuara vështirësohet. Lideri karakterizohet nga mbajtja e një qëndrimi, që e dallon atë prej kujtdo tjetër, përfshirë këtu edhe ndjekësit e tij. Sepse qëndrimi është ajo gjëja e vogël që bën dallimin e madh në të tilla raste.

Ismail Qemali shërbeu në Perandorinë Osmane në disa poste të larta. Për dyzet vjet me radhë, ai vuri në shërbim të Perandorisë zgjuarsinë e tij të madhe dhe karakterin e tij të drejtë. Përgjatë shërbimit publik, shfaqi integritet të rrallë. Më tepër se ç’preferonte titujt apo postet, ka parapëlqyer të thotë haptas mendimin e tij, duke vuajtur edhe pasojat.

Më 14 dhjetor 1891, Ismail Qemali u emërua në postin e guvernatorit të vilajetit të Bejrutit në Liban. Përgjatë kësaj periudhe do të shërbente edhe si Guvernator i Përgjithshëm ad interim i vilajetit të Sirisë në Damask. Ndërkohë, më 12 korrik 1892, atij i erdhi një telegram nga sulltani, ku i kërkohej të kthehej menjëherë në Stamboll, sepse do të ngarkohej me një mision të rëndësishëm. Pas qëndrimit tetë mujor si guvernator i Bejrutit, u largua në fund të gushtit 1892. Populli i Bejrutit ndjeu keqardhje për largimin e Ismail Qemalit, por, nga ana tjetër, u gëzuan, sepse kujtuan se ai po thirrej për të marrë postin e Vezirit të Madh. Ata i dhuruan si kujtim një album, të veshur me ar dhe me gur smeraldi në mes. Albumi ishte i mbushur me fotografi nga vendi dhe monumentet e tij.

Kësaj periudhe i përket edhe rrëfimi i personalitetit të shquar libanez, diplomatit, shkrimtar dhe gazetarit Emin Arslan. Ai i përkiste një familje të shquare druzësh, të cilit mbajnë titullin e Emirit. Njëkohësisht, Emin Arslan shërbeu si konsull i Perandorisë Osmane në disa shtete. Ai ka rrëfyer me detaje në një shkrim me titullin Pikëllimet e dashurisë së humbur të 12 korrikut 1913, në gazetën argjentinase Caras y Caretas – historinë e një dashurisë tragjike, të përkthyer në shqip nga Aurenc Bebja. Pjesë e kësaj historie dramatike është edhe Ismail Qemali, i cili asokohe shërbente si Guvernator i Përgjithshëm i Libanit.

Emin Arslan shkruan duke marr shkas nga fakti që gazetat po flisnin shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët, e veçanërisht për Ismail Qemal beun, promotorin e pavarësisë së tyre dhe kreun e qeverisë së përkohshme: “E kam njohur shumë mirë këtë burrë shteti të shquar, ai më nderon me miqësinë e tij dhe e vlerësoj shumë. Kur u kthye në vendin e tij për të shpallur pavarësinë e tij, më dërgoi një letër në Buenos Aires duke rekomanduar katër emigrantë të varfër shqiptarë. Sa herë, pra, që gazetat na japin lajme nga Shqipëria, nuk mund të mos kujtoj një histori të pikëllimeve të dashurisë së humbur që kam parë dhe që më dha mundësinë të mësoj për karakterin fisnik të atij burri shteti”.

Historia flet për një vajzë shumë të bukur me emrin Leila, me të cilën familja e Emin Arslanit kishin një miqësi të veçantë. Leila do të vuante disa fatkeqësi përgjatë jetës së saj. Arslani admiron bukurinë klasike dhe inteligjencën e rrallë të saj. E krahason bukurinë e Leilës me kryeveprën Venus de Milo e cila gjendet në Muzeun e Luvrit në Paris.

Pas shumë peripecive dhe një jete të mbushur me dhimbje, Leila mbetet e ve në një moment shumë të vështirë të jetës. Kunati i saj, i preferuari i sulltanit dhe spiuni i tij, vjen dhe do që t’i heq Leilës trashëgiminë. Askush nuk guxonte të mbrojë çështjen e saj. Vetë gjykata kishte frikë mos shkaktonte zemërimin e kunatit dhe njëkohësisht të preferuarit të sulltanit. Sulltan Abdyl Hamidi nuk bënte shaka. Një fjalë dhe të dërgojnë në fund të Bosforit ose në fund të Saharasë, në Tripoli.

Emin Arslani shkon në qytet për t’i shprehur ngushëllimet zonjës Leila dhe për informuar të ëmën e tij lidhur me gjendjen e saj.

Me cinizëm kunati i saj i kishte thënë Leilës: “Zonjë, ti je shumë e bukur për të pasur nevojë për pajë për burrin tënd të ri”. Të gjithë ishin të frikësuar nga kunati i fuqishëm dhe i frikshëm. Leila kërkonte të paktën lëmoshën e paqes. Ajo kishte kaluar dhjetë vite të jetës së saj duke i shërbyer si infermiere bashkëshortit të sëmurë në shtrat.

Njëzetë e katër vjeçari i atëhershëm Emin Arslan, u prek thellësisht dhe tentoi që ta ndihmonte Leilën fatkeqe. Ai po ndihej shumë keq, duke e parë veten të pafuqishëm për ta ndihmuar shoqen e fëmijërisë, të cilën e donte si motër.

Sapo del nga shtëpia e Leilës, krejt papritur Emin Arslani ndeshet me karrocën e Guvernatorit të Përgjithshëm (Valiut), Ismail Qemal beu, i cili njihej si një guvernator energjik dhe thuhej se ishte njeriu i besuar i Mid’hat Pashës – babait të Kushtetutës – dhe thuhej se edhe sulltani kishte frikë prej tij.

“Oh! Çfarë ideje”, – mendon me vete ai. “Nëse do të shkoja ta takoja dhe t’i shpjegoja situatën e Leilës? Ndoshta mund të jetë e dobishme. Në çdo rast, çfarë dëmi do të kishte? Çfarë mund të pësoja nga kunati”?

Ismail Qemali, ishte duke u kthyer në shtëpi. Në shtëpi kishte shumë njerëz që e prisnin. I trembur dhe pak i turpshëm, Arslani iu kërkon ndihmësve të Ismail Qemalit që t’i mundësojnë një takim me guvernatorin.

Më pas, ndihmësi i guvernatorit e çon në një sallon dhe e fton të takojë Shkëlqesinë e Tij. Ismail Qemali ishte ulur në fund të një salloni të madh, i mbushur plot me shtresën e lartë të qytetit. Sapo hyri brenda, Ismail Qemali u ngrit dhe e ftoi të ulet. Pasi i bëri paraprakisht disa pyetje, Ismail Qemali i kërkoi Arslanit që ta sqaronte lidhur me arsyet e takimit. Arslani i kërkon që të bisedonin privatisht, gjë të cilën Ismaili e pranon. Ai e futi në kabinetin e tij të punës, u ul dhe i bëri shenjë të ulej dhe i thotë:

– Le të shohim. Shpresoj që të mos jetë asgjë serioze.

Me pak fjalë, Arslani i tregon në mënyrë të përmbledhur historinë e Leilës dhe se si, pasi kishte qenë viktimë e të shoqit për dhjetë vjet, ajo ishte e ve dhe tashmë viktimë kunatit të saj, një favorit i fuqishëm dhe me ndikim te sulltani.

Ismail Qemali e dëgjoi me vëmendje, pa e ndërprerë as edhe një herë. Emin Arslani merr guximin dhe i thotë:

– Ajo grua e gjorë ka vetëm një shpresë, Shkëlqesi. Nëse Shkëlqesia Juaj e braktis, gjithçka do të marrë fund për të dhe për ne; sepse do të tregohet se të preferuarit dhe spiunët janë ata që na qeverisin.

– Ke të drejtë – i thotë Ismail Qemali. – A je i sigurt për atë që më thua?

– Shkëlqesi, unë vij nga shtëpia e të vesë së varfër dhe nga buzët e saj mësova gjithçka që kam pasur nderin t’i them Shkëlqesisë Tuaj.

Me dorën e rëndë, Ismail Qemali tundi një zile mbi tavolinën e tij dhe u shfaq një shërbëtor.

– Thirr kapitenin – i tha Ismaili.

Një moment më vonë, kapiteni shfaqet, përshëndet ushtarakisht dhe pret.

– Lërini të shkojnë menjëherë për të kërkuar X.-in, dhe ta sjellin pa vonesë – urdhëroi guvernatori.

Pastaj, duke u kthyer nga Arslan, i tha :

– Shpresoj se do të guxosh të më thuash para tij atë që të ka thënë kunata?

– Sigurisht, Shkëlqesia Juaj.

Ai shikoi mbi zyrën e tij dhe mori një kopje të Revue des deux Mondes nga Parisi.

– Ja, – i tha Ismaili – argëtohu duke e lexuar atë, derisa të vijë kundërshtari yt.

Ismail Qemali u largua dhe e la vetëm në zyrën e tij. Papritmas vjen i preferuari i sulltanit (kunati). Ai dukej i shqetësuar. Ismail Qemali e priti menjëherë dhe, duke qenë se dera ishte lënë hapur, Emin Arslani e dëgjoi të gjithë bisedën. Ismail Qemali përsëriti historinë e tij pothuajse fjalë për fjalë dhe e mbylli fjalimin e tij me këto fjalë:

– Epo, unë ju kam thirrur për t’ju thënë këtë: nëse keni gjetur zyrtarë frikacakë ose të vetëkënaqur, nëse mendoni se do të gjeni gjyqtarë mjaft të poshtër që do t’ju lejojnë të plaçkitni një të ve të varfër si kjo, megjithatë ka dikë që e keni harruar dhe se ai nuk ka frikë prej jush, i cili është në gjendje të mbrojë të dobëtit dhe të braktisurit; dhe ai dikushi jam unë. Ju më njihni mjaft mirë dhe e dini që unë bëj atë që them dhe se nuk ka fuqi në tokë që mund të më tremb. E kupton? Dhe, tani shkoni dhe mbi të gjitha kujtoni se sa të jem gjallë do të jem gati t’ju ndjek deri sa të vihet drejtësia.

I preferuari sulltanit (kunati), si të gjithë frikacakët që i dorëzohen forcës, tha duke belbëzuar se dallimi mes tij dhe kunatës ishte ekzagjeruar dhe për t’i vërtetuar Shkëlqesisë, guvernatorit, se ishte keqinformuar, u largua menjëherë për të korrigjuar këtë dallim.

Në fakt, ai doli i zbehtë dhe duke u dridhur; dhe menjëherë dërgoi një mik për t’i bërë të ditur Leilës se nuk kishte asnjë kundërshtim dhe gjithçka u zgjidh pa asnjë vështirësi. Por, menjëherë pas kësaj, një thashetheme qarkulloi në qytet se Ismail Qemali ishte tërhequr në Kostandinopojë dhe të gjithë u tronditën. Sepse, për herë të parë që nga koha e Mid’hatit, në vend ishte parë një zyrtar liberal.

Por, i preferuari i sulltanit (kunati) ishte betuar për hakmarrje dhe mori hak; sepse, sapo mbërriti në Kostandinopojë, ai i dërgoi sulltanit aq shumë raporte sekrete për rrezikun e pranisë së Ismail Qemalit në Bejrut, ku ai propagandonte idetë e Turqisë së Re, saqë sulltani përfundoi duke e lëvizur Guvernatorin e Përgjithshëm.

Disa kohë më pas, rreth viteve 1907-1908, Ismail Qemali dhe Emin Arslani do të gjendeshin në Paris. Arslani e fton që të vizitojnë Muzeun e Luvrit dhe e çon në sallën ku ndodhet statuja Venus de Milo. Më pas Arslan e pyet:

– E mbani mend, Shkëlqesi, vizitën e parë që ju bëra në Bejrut, pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur ishit guvernator i provincës?

– A më kujtohet? Mendoj se po, – ia kthen Ismaili. – Historia e asaj gruaje të ve, apo jo?

– Po, është ajo, – thotë Arslan. – Është shprehja e saj magjepsëse e bukurisë, krenarisë, fisnikërisë dhe madhështisë.

– A e dini – thotë Ismail beu – se kjo histori më kushtoi postin? Nuk jam penduar kurrë, sepse ishte detyra ime të bëja drejtësi. Por, tani pendohem akoma edhe më pak.

Karakteristikë për liderët e mëdhenj është fakti që ata e trajtojnë cilindo sipas personalitetit dhe cilësive të karakterit. Ismail Qemali ishte njerëzor dhe i virtytshëm kurdoherë dhe me këdo. Ai ngjallte një ndjenjë respekti dhe besimi të thellë te bashkëpunëtorët e tij. Në kujtimet e tyre askush prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ismail Qemalit nuk citohet të ketë folur negativisht për të pas vdekjes së tij.

Aftësitë e shkëlqyera të dëgjimit të Ismail Qemalit, i dëshmon edhe Emin Arslani në këtë histori. Ato e ndihmuan Ismail Qemalin që t’i kushtonte vëmendje të jashtëzakonshme ndjesive të kujtdo me të cilin komunikonte. Kjo përkujdesje ndaj tjetrit i jepte atij mundësinë të krijonte një raport në një nivel shumë të thellë emocional. Ai i fliste kujtdo me gjuhën e duhur, qofshin këta mbretër, kryetar shtetesh, politikan dinak apo fshatarë të thjeshtë. “Ismail Qemali” – kujton Sali Hallkokondi – “ishte në gjendje të fliste me njerëzit sipas moshës dhe formimit të gjithsecilit, edhe sipas cilësive të tyre morale: me të riun, me të moshuarin, me pleqtë, trimin e ngrinte lart, të druajturit i jepte kurajë.”

Ismail Qemali ishte kurdoherë i gatshëm për të mbajtur qëndrimin e duhur kundrejt së mirës dhe së keqes. Ai ishte i përgatitur për të sakrifikuar interesin vetjak dhe për të vuajtur pasojat që vinin nga mbajtja e qëndrimit të drejtë dhe të palëkundur. Ai i mbronte kurdoherë të dobëtit dhe të braktisurit që përballeshin me padrejtësi. Ai bënte atë që thoshte, dhe thoshte gjithmonë atë që bënte. Dhe nuk kishte asnjë forcë në tokë që mund t’a trembte.

Tipari më madhështor i njerëzve të mëdhenj, thotë Stefan Zweig, është aftësia për të lënë mënjanë interesat vetjakë për hir të së mirës së përgjithshme. Ky ishte një tipar karakteristik i lidershipit të Ismail Qemali, i cili shfaqet gjithmonë me konsekuencë. Dhënia e dorëheqjes me vetëmohim nga posti i kryeministrit, me qëllim për t’i dhënë fund përçarjes dhe anarkisë në vend, është vetëm një tjetër shembull i karakterit e fisnikërisë së shpirtit të tij bujar.

“Plaku i pavdekshëm” – kujton Ali Asllani – “kish një zgjuarsi dhe një dijeni të thellë, ta merrte fjalën nga goja … Sytë e tij kishin shtatë drita …”! Ai kishte aftësinë për të udhëhequr nëpërmjet forcës së shembullit, sepse “fjalët të mësojnë, ndërsa shembujt të tërheqin”. Por, fatkeqësisht këto tipare sublime të lidershipit të tij, rrallëherë janë kuptuar dhe zbatuar përgjatë historisë sonë kombëtare.