Këtë verë Bordi Drejtues i Fondit të Zhvillimit ndau më shumë se 2.1 milionë euro për projekte në veri të Kosovës.
Mbi 700 mijë euro i janë ndarë Zveçanit për zhvillimin e infrastrukturës komunale, përfshirë edhe mbështetjen për projektin e BE-së në zhvillim “Deponia Rajonale”.
Sipas një njoftimi nga zyra e BE-së në Kosovë, Bordi i ndau Leposaviqit 400 mijë euro për të ndihmuar zhvillimin e kultivimit të mjedrës në komunë dhe afër 500 mijë euro për fazën e dytë të ndërtimit të pishinës në Zubin Potok.
Bordi Drejtues gjithashtu ka ndarë 500 mijë euro për dy projekte në Mitrovicën e Veriut, përkatësisht fazat e dyta të Sallës së Sporteve dhe ndërtimin e një objekti për Brigadën e Zjarrfikësve.
“Fondi i Zhvillimit është rezultat i Dialogut Beograd-Prishtinë. Fondi financohet nga tatimet e mbledhura në pikë kalimet Jarinjë/Rudnicë dhe Tabavijë/Bërnjak. Që nga viti 2013, në Fond janë mbledhur 14.8 milionë euro, ndërsa deri tani janë ndarë më shumë se 10 milionë për të mbështetur zhvillimin socio-ekonomik të katër komunave në veri të Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/