Site icon Telegrafi

Fondi Sovran i Norvegjisë shënon humbje rekord prej 164 miliardë dollarësh

Fondi Sovran i Norvegjisë ka njoftuar një humbje prej 164.4 miliardë dollarësh për vitin 2022, duke i dhënë fund ecurisë trevjeçare të fitimeve.

Ky Fond që është një nga investitorët më të mëdhenj në botë, humbjen më të madhe e kishte pasur në vitin 2008 prej 63 miliardë dollarë.

“Tregu u ndikua nga lufta në Ukrainë, inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit. Kjo ndikoi negativisht si në tregun e aksioneve ashtu edhe në atë të obligacioneve, gjë që është shumë e pazakontë”, tha shefi ekzekutiv Nicolai Tangen, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, pavarësisht humbjeve rekord, në përgjithësi vlera e fondit u rrit me 8.9 miliardë dollarë nga viti në vit.

Fondi investon të ardhurat e shtetit norvegjez nga prodhimi i naftës. Si një eksportues i madh i naftës së papërpunuar dhe furnizuesi më i madh i gazit në Evropë, pas një rënie të flukseve të gazit rus, Norvegjia përfitoi nga çmimet e larta të energjisë.

Fondi zotëron aksionet e rreth 9,300 kompanive në mbarë botën. Ajo gjithashtu investon në obligacione, patundshmëri dhe projekte të energjisë së rinovueshme.

Kthimi nga investimi i Fondit në vitin 2022 qëndroi në minus 14.1 për qind për vitin. Kthimi nga aksionet e Fondit ishin minus 15.3 për qind.

Fondi Sovran është themeluar në vitin 1996 dhe mban ekuivalentin e rreth 200 mijë dollarëve për çdo norvegjez. /Telegrafi/

Exit mobile version