Site icon Telegrafi

Fondi për Garanci Kreditore s’do t’i rrisë normat e interesit

Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik shqyrtoi sot raportin me amendamentet e Projektligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe vlerësoi se në këtë ligj si kryesore janë humbjet kreditore, ndërsa me amendament është rregulluar që institucionet financiare do të bëjnë pagesa vetëm atëherë kur ajo dokumentohet.

Duke paraqitur këtë vlerësim, kryetari i Komisionit Muhamet Mustafa sqaroi procedurën e kërkesave për pagesa. “Humbjet kreditore janë tërësia e shumës së pagueshme të cilin Fondi kosovar i garancive kreditore ja paguan institucionit të regjistruar financiar kundrejt kërkesës së paraqitur për pagesë pas dokumentimit të rastit të garantimit. Do të thotë duhet të dokumentohet”, tha Mustafa.

Pas disa ndërhyrjeve të anëtareve të tjerë për çështjen e lartësisë së tarifës, Besim Beqaj, anëtar i Komisionit, shprehu disa paqartësi tek vendosja e tarifave. “Nëse e heqim fjalën pozitivisht , fjalia ka kuptim ndërsa në opsionin të cilin e kanë sjellë këta ekspertët unë nuk po e kuptoj – prapë do të angazhohemi në maksimalisht që niveli i tarifave të garancisë nuk do të rrisë nivelin e normave të interesit lidhur me financimin e NMV-ve të shërbyera më pak duke siguruar sigurinë e FGKS-së. Çka është të shërbyera më pak”, tha Beqaj.

Mustafa tha se lartësia e tarifave duhet të udhëhiqet nga parimi i racionalitetit, efiçencës dhe efektivitetit të shpenzimeve operative.
“Lartësia e tarifës duhet të udhëhiqet nga parimi i racionalitetit, efiçencës dhe efektivitetit të shpenzimet administrative dhe të kostove të tjera. Fondi do të thotë nuk mund me u rritë me bërë shpenzime të pa nevojshme tani me rritë tarifën. Do të thotë një parim që duhet me pas kujdes . Lartësia e tarifave duhet me qenë e tillë që mos me ndikuar në rritjen e normave të interesit“, tha Mustafa.

Ndërkaq, deputeti Blerim Grainca u interesua të dijë pse për këtë ligj në buxhetin e vitit 2016 nuk janë paraparë mjete. “Me qenë se ky ligj krijon edhe të themi pasoja financiare edhe ka efekte financiare, a është futur në buxhetin e vitit 2016? Sepse, me sa unë kam parë nuk është futur”, tha Grainca.

Mustafa ndërhyri duke treguar se ky ligj fillimisht shkon në Ministri të Financave për të parë nëse ka implikime buxhetore.

Grainca ishte këmbëngulës duke thënë se në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk ka mjete të ndara, ndërsa Beqaj i tregoi që janë paraparë për inicim të fondit 300 mijë euro. “Ligjet para se të vijnë në Kuvend për në lexim të parë kalojnë në Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Integrimeve që është në pajtim. Ky fondi inicial themelues është 300 mijë euro të cilat, sa kam unë informacion, Ministria është zotuar se janë brenda Ministrisë. Është fjala për 300 mijë euro si fond inicial. Ndërsa pjesa tjetër ata kanë menduar që ka me pasur efekte të tjera financiare që mund të bëjnë edhe kontributet e tjera të donatorëve apo mekanizmave të tjerë par nuk shohë”, tha Beqaj.

Mustafa i pyeti edhe përfaqësuesit e MTI-së të cilët nuk e dinë se a është paraparë në buxhet ligji a po jo. Ai u tha herëve të tjera të mos marrin pjesë në mbledhje pa u përgatitur. Po ashtu ky komision ka shqyrtuar edhe amendamente të projektligjeve për Dizajnin Industrial, për Treguesit gjeografik dhe emërtimet e origjinës dhe për Energjinë Termike. /Telegrafi/

Exit mobile version