Telegrafi

Fondi Monetar: Vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore do të humbasin fuqinë punëtore gjatë tre dekadave të ardhshme

Vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) mund të përballen me rënie të fuqishme të fuqisë punëtore gjatë 30 vjetëve të ardhshëm, paralajmëroi sot Tao Jang, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Sipas Emerging Europe, Bullgaria, Letonia, Polonia dhe Ukraina parashikohen të shënojnë rënien më të madhe të fuqisë punëtore prej më shumë se 30 për qind deri në vitin 2050.

Në konferencën ndërkombëtare “Demografia, punësimi dhe rritja: Menaxhimi i së ardhmes në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore” në Dubrovnik, Jang paraqiti të dhëna nga një sondazh i ri i FMN-së që tregon se popullsia në vendet e CESEE, në vitin 2050, do të përballet me një rënie prej 12 për qind të popullsisë për shkak të plakjes dhe migrimit.

“Gjatë tre dekadave të fundit, standardet e jetesës në rajon janë rritur me shpejtësi. Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë është dyfishuar dhe të ardhurat për kokë banori tani i afrohen atyre të Evropës Perëndimore në disa nga vendet. Jetëgjatësia gjithashtu është rritur nga 67 vjeç në gati 74 vjeç që nga viti 1995”, thotë Jang.

Fondi Monetar vlerëson se pa presion demografik, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në rajonin e CESEE mund të arrijë në 74 për qind të Evropës Perëndimore deri në vitin 2050, krahasuar me 52 për qind në vitin 2020, ndërsa me sfida demografike kjo do të arrinte në vetëm 60 për qind.

Lexo po ashtu Guvernatori Mehmeti e informon zëvendësdrejtorin e FMN-së mbi zhvillimet e sistemit financiar të Kosovës

Gjithashtu, gjatë kësaj konference, delegacioni i BQK-së, ka zhvilluar takim me zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar, si dhe e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite. /Telegrafi/