Fondi për punësim shumë lehtë mund të mbetet vetëm një premtim i zv/kryeministrit, Hashim Thaçi.
Për të krijuar këtë fond në vlerë prej 1.5 miliard eurove, Qeveria e Isa Mustafës duhet t’i marrë mjetet nga Trusti dhe nga Fondi i privatizimit, mjete këto të cilat janë duke u ruajtur jashtë vendit.
Që këto mjetë të jenë në dispozicion për afaristët, atëherë Qeveria duhet të marr dritën e gjelbër nga Kuvendi i Kosovës në ndryshimin e ligjit për menaxhimin e financave publike, ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe ligjin për Kursimet Pensionale.
Burime të Gazetës Tribunës brenda Qeverisë, bëjnë të ditur se Fondi i Trustit i cili është prej rreth 1 miliard eurove nuk do të preket për krijimin e ndonjë Fondi zhvillimor.
“Qeveria nuk do të përdorë mjetet e Trust-it për ndonjë Fond zhvillimorë, pasi që ato janë mjete të qytetarëve. Ato mjete do të ruhen me një kujdes të shtuar, pasi që janë djersë e qytetarëve”, ka thënë ky burim i gazetës.
E, mjetet të cilat pritet të hynë në funksion të ekonomisë së vendit, pritet të jenë vetëm ato të Fondit të privatizimit.
Këtë në një intervistë për Gazetën Tribuna e ka pranuar edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti.
“Në kuadër të pakos ligjore, që Qeveria do të përgatisë, do të planifikojmë që të krijojmë mundësinë që fondi i grumbulluar nga privatizimi i ndërmarrjeve të hyjë në funksion të fondit zhvillimor. Do të jemi shumë të kujdesshëm në përdorimin e fondit të Trustit Pensional, pasi që ato janë para të qytetarëve e jo të shtetit”, ka thënë Hoti
Në anën tjetër, edhe komuniteti i biznesit vlerëson se asnjë Fond nuk mund të përdoret pa ndryshimin e ligjeve në Kuvend. “Jo vetëm mjetet e Trustit, por as ato të privatizimit nuk mund të përdoren pa ndryshimin e ligjeve në Kuvend”. ka thënë për Gazetën Tribuna, kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
Ai ka mbështetur qeverinë që të ketë kujdes në përdorimin e mjeteve të Trust-it pasi që sipas tij, pronar të atyre mjeteve janë qytetarët.
“Ato mjete nuk mund të përdorën pa pëlqimin e qytetarëve. Për përdorimin e mjeteve të Trust-it duhet të bëhet një debat i gjatë me qytetarë, ose duhet të ketë referendum për këtë çështje”, ka thënë Shahini
Sipas tij, qeveria ka hapësirë që bëjë më shumë për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Qeveria në partneritet me sektorin privat mund ta garantojë një strategji zhvillimore, përmes secilës do të hapej një perspektivë ku do të ndalohej edhe migrimi”, ka thënë Shahini.
Ndryshe, në fushatën zgjedhore PDK kishte premtuar 200 mijë vende të reja pune, përderisa partneri i saj, LDK kishte premtuar 120 mijë vende pune. /Tribuna/Telegrafi/