Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti bashkë me ish-kapitenin e kombëtares shqiptare, Lorik Cana, sot përuruan fushën multifunksionale në oborrin e çerdhes “Xixëllonjat” në Prishtinë.
Të pranishëm në demonstrimin e aktiviteteve bashkë me fëmijët ishin edhe yjet e futbollit dhe muzikës si Granit Xhaka, Etrit Berisha dhe Ledri Vula.
Lorik Cana u shpreh falënderues që ky projekt është jetësuar në qytetin e tij të lindjes.
“Sot u riktheva në qytetin e lindjes, Prishtinës time, dhe jo si dikur një fëmijë plot ëndrra rrugicave duke luajtur futboll, por për të nisur rrugëtimin e projekteve të Fondacionit LC5 në Kosovë”.
“I emocionuar por edhe falënderues për mbështetjen dhe pritjen krahë hapur që më bëri komuniteti i Prishtinës”.
“Bashkë me Kryetarin e Komunës, Shpend Ahmetin, vëllezërit e mi, Etrit Berisha, Granit Xhaka dhe Ledri Vula, familjes dhe bashkëpunëtorëve munda të vendos gurin e parë në shërbim dhe edukim të brezit të ri me sportin. Ju faleminderit të gjithëve!”, ka shkruar Cana. /Telegrafi/