Me datën 24 dhe 25 tetor në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, do të mbahet edicioni i 8-të i festivalit të teknologjisë ‘KosICT’.
Art Navakazi, nga ‘KosICT’ ka theksuar për Telegrafin se është këtë vit do të mbahet edicioni i tetë i festivalit të teknologjisë ‘KosICT’, e cila organizohet prej shoqatës së teknologjisë së komunikimit të Kosovës që njihet si ‘STIKK’.
Ai ka thënë se kësaj radhe është vendosur që ngjarja të mbahet në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ dhe në Kinoarmata, për arsye se sipas tij, kemi të bëjmë me një lokacion që ka më tepër frekuentim të njerëzve.
“Këtë vit do të jetë një organizim pak ma i madh. Festivali është i ndarë në tri pjesë: në Kinoarmata është skena kryesore, ku do të jenë prezentë 25 folës, e të cilat janë nga rajoni, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Në pjesën tjetër, do të kemi seminare të cilat lidhen me teknologji dhe janë më teknike, ku kemi seminare që do të mbahen nga folës vendor, dhe pjesa e panairit të start up-eve që janë pjesë e ICK”, ka shtuar Navakazi.
Më tutje ai ka sqaruar se këtë vit për herë të parë është bërë një kënd për fëmijët, që e kanë quajtur ‘Future Developers’, ku fëmijët sipas tij, do t’i prezantojnë punët e tyre në programim. Ata më herët kanë filluar t’i realizojnë punët, por pjesa finale do të mbahet këtu.
“Si përmbyllje e këtij evenimente ka me qenë e-games tournament, ku do të luhet loja ‘league of legends”, ka shtuar Navakazi. /Telegrafi/