Telegrafi

Fofana në listën e dëshirave të Realit, mbrojtësi e ka pranuar publikisht se ëndërron t’i bashkohet Los Blancos

Wesley Fofana po vlerësohet si njëri nga mbrojtësit e ri më të mirë në elitën e futbollit anglez Ligën Premier.

Qendërmbrojtësi francez është bashkuar në verën e vitit 2020 me Leicester Cityn nga St Etienne për një shumë prej 35 milionë euro.

Por me tu transferuar në Angli, Fofana ka filluar shkëlqimin dhe sot është një nga më të vlerësuarit në Ishull.

20-vjeçari pëlqehet shumë nga trajneri Carlo Ancelotti i cili ka kërkuar nga drejtuesit e klubit që të afrojnë lojtarin në verën e vitit të ardhshëm.

Reprezentuesi i Francës U21 kishte deklaruar javë më parë se klubi i ëndrrave të tij mbetet Real Madridi.

“Klubi i ëndrrave të mia është Real Madridi. Ai është klubi më i madh në botë dhe është ëndërr për mua që një ditë të luaj atje”, ka deklaruar javë më parë Fofana.

Mediat në Spanjë kanë raportuar se Los Blancos janë duke e monitoruar situatën e talentit francez, por për ta transferuar atë në Santiago Bernabeu do të duhet të paguanin rreth 80 milionë euro te Leicester City. /Telegrafi/