Site icon Telegrafi

Foda, përzgjedhësi që riktheu Kombëtaren e Kosovës në binarë – ecuria fantastike me Dardanët dhe arritja në Ligën B

Kombëtarja e Kosovës ka arritur një sukses historik, duke u kualifikuar në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Dardanët luajtën dy ndeshje me Islandën dhe i fituan që të dyja, 2-1 në Prishtinë dhe 1-3 në Murcia të Spanjës ku u zhvillua ndeshja.

Me rezultat të përgjithshëm 5-2 Kosova mposhti Islandën në dy ndeshje dhe me plotë meritë kalon në Ligën B.

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda është padyshim më meritori për këtë ecuri, pasi ka rikthyer Kombëtaren në binarë.

Pas largimit të Primoz Glihas, shumë emra ishin vetofruar për ta udhëhequr Kosovën, por FFK bëri punë të mirë që ‘frenat’ e Kombëtares ia besoi trajnerit gjerman.

8 ndeshje, 6 fitore dhe 2 humbje

Foda ka marrë drejtimin e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2024 dhe ka udhëhequr Dardanët në 8 ndeshje zyrtare deri më tani.

Gjashtë fitore ka marrë Kosova në ndeshje zyrtare nën drejtimin e Fodas dhe dy humbje, ku njëra nga to ishte në tavolinë nga Rumania edhe pse në atë ndeshje dominoi totalisht Kombëtarja jonë.

Kosova nën drejtimin e Fodas ka mposhtur dy herë Qipron, dy herë Lituaninë dhe dy herë Islandën, derisa ka pësuar nga Rumania 0-3 në Prishtinë dhe 3-0 në Rumani me rezultat zyrtar pasi ndeshja e rregullt u mbyll baras 0-0.

Dardanët kanë shënuar 15 gola në ndeshje zyrtare derisa kanë pranuar gjashtë në tetë sfida.

Arritja në Ligën B, radha për kualifikimet e Kampionatit Botërorë

Pasi kanë arritur tanimë kualifikimin në Ligën B, Kosova do të kthejë sytë nga kualifikimet për Kampionatin Botërorë.

Dardanët janë në një grup shumë të vështirë me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.

E kampanja kualifikuese fillon me dy ndeshje të vështira, pasi më 5 shtator luajmë me Zvicrën në udhëtim, derisa tre ditëmë vonë presim Suedinë në ‘Fadil Vokrri’. /Telegrafi/

Sa jeni të kënaqur me punën e Franco Fodas si trajner i Kosovës?

Tepër shumë

Shumë

Mesatarisht

Pak

Aspak

 

 

 

 

 

Exit mobile version