Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka falënderuar Fondin Monetar Ndërkombëtar për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës dhe në veçanti BQK-së në realizimin e objektivit së saj primar, mbrojtjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
Në konferencën përmbyllëse të ekipit të misionit të FMN-së për Kosovën, Guvernatori Mehmeti ka dekaluar se sektori financiar po vazhdon me performancë pozitive.
“Sektori financiar vazhdon të ketë rritje të vazhdueshme dhe në këtë kontekst, nëse shohim sektorin bankar, ka shënuar rritje në të gjithë treguesit financiar, si në rritjen në kredi ku rritja në bazë vjetore është 12 për qind, në depozita 6 për qind, poashtu edhe në asete 6 për qind. Në kontekstin rregullativ, treguesit e mjaftueshmërisë së kapitalit shënojnë rritje në 16.1 për qind, që është mbi minimumin e kërkuar rregullativ. Gjithashtu, raporti i likuiditetit prej 33 për qind është mbi minimumin e kërkuar rregullativ prej 25 për qind. Këto të dhëna tregojnë se bankat janë mirë të kapitalizuara dhe likuide. Po ashtu zhvillime pozitive kemi edhe në normën e interesit, ku norma e interesit për bizneset dhe ekonomitë familjare është 6.3 për qind, ndërsa nëse e shohim normën e interesit vetëm për biznese është 5.35 për qind, përderisa norma e interesit për kreditë hipotekare sillet prej 4 për qind deri në 5 për qind”, tha Mehmeti, përcjell Telegrafi.
Ai tha se do të vazhdoj bashkëpunimi ndërmjet FMN-së dhe BQK-së.
Kjo tregon për lehtësimet që janë bërë në qasjen në financa dhe njëkohësisht të kemi edhe rritje të shkallës së ndërmjetësimit financiar. Zhvillime pozitive kemi edhe në sektorë të tjerë, siç janë sigurimet, pensionet, institicionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare.Edhe në takimet që i kemi pasur në vazhdimësi me Fondin Monetar Ndërkombëtar është vlerësuar lartë stabiliteti financiar dhe qëndrueshmëria financiare në Kosovë. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është e sigurt se do të kemi përkrahje të vazhdueshme nga FMN-ja dhe jemi të sigurt se do të vazhdojmë bashkëpunimin e suksesshëm mes BQK-së dhe FMN-së”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, Stephanie Eble, udhëheqëse e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë ka premtuar mbështetje të mëtutjeshme për Bankën Qendrore të Kosovës dhe hapi i parë do të jetë vlerësimi i ri i sektorit financiar.
“Sistemi bankar i Kosovës është i qëndrueshëm dhe me mundësi përmirësimi në qasjen në kredi. Penetrimi kreditor edhe pse endeështë i ulët në krahasim me rajonin, ka pasur rritje të vazhdueshme, si pasojë e lëhtësimeve të bëra me uljen e normave të interesit, garantimin e kredive përmes Fondit per Garanci Kreditore dhe me fuqizimin e zbatimit të ekzekutimit të kontratave, duke mënjanuar pengesat strukturore në kredidhënie përmes fuqizimit të Ligjit të Përmbarimit. Me zbatimin e rekomandimeve të Bankës Botërore dhe të FMN-së të vitit 2012, Kosova ka kërkuar një vlerësim të ri të sektorit financiar për të përgatitur strategjinë afatmesme të radhës, e cila pritet të fillojë të hartohet nga muaji i ardhshëm”, tha Eble.
Nga ana tjetër, ministri i Financave, Bedri Hamza tha se FMN-ja ka mirëpritur planet e Qeverisë për t’i dhënë prioritet rendit dhe ligjit, shëndetësisë, arsimit dhe nëse rritet buxheti për këta sektorë atëherë duhet të rritet edhe efekasiteti.
Në këtë konferencë u tha se rritja ekonomike për këtë vit, parashihet të arrijë në rreth 4 për qind që do të jetë më e larta në rajon, kurse rritja më e lartë ekonomike do të jetë vitin e ardhshëm. /Telegrafi/