Fotografitë e shpërndara së fundmi, tregojnë enterierin e fluturakes më të madhe ndonjëherë, që ka nivel të lartë luksi dhe panele gjigante xhami, me mundësi që të shikohet në të dy horizontet.
Hibrid Air Vahicles në bashkëpunim me Design Q, e prezantuan Airlander 10 që konsiderohet si fluturakja më e madhe e pasagjerëve, e cila mund ta ndryshojë mënyrën e turizmit përgjithmonë, transmeton Telegrafi.
Deri më tani, fluturakja e 25 milionë eurove, është përdorur nga Forcat Ajrore Amerikane, ndërsa tani është pronë e kompanisë britanike me bazë në Bedfordshire të Anglisë.
Vetëm hapësira e brendshme është e gjatë 75 metra dhe mund të akomodojë 18 pasagjerë dhe stafin shërbyes, për një fluturim treditor.
Prodhuesi konsideron se ka gjithçka gati dhe mund të nisin porositë për Airlander 10, si dhe të gjitha kërkesat e personalizuara të klientëve.
Kjo fluturake është më e madhe se gjiganti A320 dhe mund të aterrojë edhe në zona ku nuk ka aeroport, sepse nuk ka nevojë për pistë. Në këtë mënyrë, udhëtarët mund të ndalojnë në çdo kënd të botës, në mënyrë elegante dhe pa bërë asnjë hap më shumë.
Me 93 metra gjatësi dhe 45 metra gjerësi, është e bollshme që të ketë dhomë të fjetjes, dhomë të gjerë për qëndrim, trapezari, banak për kokteje, 25 kabina private dhe një dhomë për tymosje. /Telegrafi/