Disa reshje të vogla bore që kanë rënë në pjesë të Stambollit të premten është një paralajmërues i një jave të vështirë përpara për qytetin më të populluar të Turqisë.
Kështu së paku shkruajnë mediat vendase, sipas të cilave, duke filluar nga e shtuna vonë, metropoli turk pritet t’i nënshtrohet temperaturave të ftohta dhe reshjeve të mëdha të borës, sipas parashikimeve të motit.
Madje, Shërbimi Meteorologjik i Shtetit Turk (TSMS) ka thënë se reshjet e borës do të vazhdojnë për të paktën pesë ditë, përcjell Telegrafi.
Në këtë drejtim, vlerësohet se kushtet e rënda të dimrit do të zëvendësojnë një periudhë të thatë, relativisht të ngrohtë 10-ditore në qytet.
Përveç reshjeve, edhe temperaturat kanë rënë ndjeshëm të premten dhe pritet të ulen më tej të shtunën.
Si mesazh, guvernatori i Stambollit u bëri thirrje shoferëve të mos vozisin nëse nuk është e nevojshme dhe tha në një deklaratë se ekuipazhet do të vendosen gjatë gjithë kohës për t’iu përgjigjur çdo problemi që lidhet me motin e keq.
“Qytetarët duhet të marrin parasysh këshillën e autoriteteve kundër motit të ftohtë, reshjeve të borës dhe rrugëve të akullta”, ka kërkuar.
Ai gjithashtu i bëri thirrje publikut të shfrytëzojë linjat telefonike të urgjencës për të raportuar çdo person të pastrehë në rrezik nga moti i keq. /Telegrafi/