Telegrafi

Florjan Binaj reagon pas shembjes së Teatrit Kombëtar: Keqardhje për Shqipërinë, shqiptarët dhe për artin

Florjan Binaj (Foto: Instagram/florjanbinaj)

Aktori shqiptar Florjan Binaj njihet për një karrierë të bujshme në fushën e artit. Ai ka marrë pjesë në shumë shfaqje teatrale, duke u bërë më pas edhe fytyrë televizive në shumë programe argëtuese.

Në mesin e shumë artistëve që reaguan ndaj shembjes së Teatrit Kombëtar të Tiranës ishte edhe Florjani. Një gjest të tillë ai e konsideroi të turpshëm, duke shprehur keqardhje për Shqipërinë, shqiptarët dhe artin.

“Sot, 17 maj 2020, është një nga ditët më të trishtuara të jetës sime. Sot, si hajdutët natën, shkuan dhe shembën fasadën e teatrit. Tashmë çdo vendimmarrje e qeverisë merr kuptim. Zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore me muaj të tërë, mungesa e gjykatave, nuk lejohet të dalësh pas orës 17:30, nuk lejohen grumbullimet mbi tre persona, qytetarët mund të lëvizin nga ora 5:30 e mëngjesit, ndërkohë që teatrin e shembën në orën katër dhe shumë e shumë gjëra të tjera”, ka shkruar ai.

 

“Sot u vra një gur i çmuar i kujtesës së qytetit sepse ata që janë për të na shërbyer neve, po fshijnë kujtesën historike që të mbahet mend vetëm historia e tyre. E turpshme se si një grusht njerëzish janë të gatshëm të hedhin në tokë gjithçka që u përket të gjithëve, vetëm për t’u bërë servilë të shijes së një njeriu. Keqardhje për Shqipërinë dhe për shqiptarët, për artin”, ka shtuar aktori.

Shembja e Teatrit Kombëtarë të Tiranës, ka ndodhur në orët e mëngjesit të ditës së sotme (e diel), ndërsa për këtë veprim janë revoltuar një numër i madh i artistëve shqiptarë. /Telegrafi/