Telegrafi

Florian Loshaj yll i ri në Rumani – shënon gol nga 30 metra, feston me shqiponjë dhe tregon që e ka ëndërr të luajë për Kosovën

Florian Loshaj është duke shkëlqyer në kampionatin rumun, me fanellën e Politehnica Iasi.

Mesfushori 23-vjeçar që luante më parë në Holandë me klube si MVV Maastricht dhe Roda JC,  këtë verë kishte nënshkruar me klubin rumun. Politehnica Iași.

Shqiptari i Kosovës në pesë ndeshjet e aktivizuara si titullar, ka arritur të shënojë dy gola.

Loshaj së fundmi në ndeshjen e fundjavës, ndaj Steauas së Bukureshtit, i befasoi të gjithë, teksa mposhti portierin kundërshtar me një goditje të fuqishme nga 30 metra. Ky gol ia dha fitoren Poli Iasit (2-1).

23-vjeçari zgjodhi ta festonte golin e tij, duke bërë shqiponjën dykrenore.

Në një prononcim për “gsp.ro”, mesfushori që festoi me shqiponjë, zbuloi se ëndrra e tij është të luajë për Kosovën.

“Ëndrra ime është të luaj për përfaqësuesen e parë të vendit tim, Kosovën. Unë jam një qytetar belg, por kurrë nuk do ta harroj që kam lindur në Kosovë”, ka thënë Loshaj.

Loshja që është me prejardhje nga Drenica, ka luajtur për Kosovën U21. /Telegrafi/