Telegrafi

Florent Hasani prezantohet te Rapid Bukureshti, merr fanellën me numër 8

Sulmuesi vushtrrias, Florent Hasani është prezantuar edhe zyrtarisht si lojtar i ri i klubit rumun, Rapid Bukuresht.

Hasani gjatë fundjavës së kaluar zyrtarizoi transferimin e tij nga Tirana te klubi rumun për një shifër që thuhet të jetë 300 mijë euro.

Vushtrriasi 26-vjeçar thuhet se ka nënshkruar kontratë për dy vite e gjysmë dhe së shpejti do të luajë së bashku me bashkëvendësin e tij, Albion Rrahmani.

Rapidi nuk ka humbur shumë kohë pas transferimit dhe tashmë e ka prezantuar reprezentuesin e Kosovës në faqen zyrtare.

Faqja zyrtare e klubit e ka postuar një fotografi të Hasanit me mbishkrimin: “Ai është këtu!”, ndërsa më vonë ka postuar një fotografi tjetër me numrin 8.

Ndryshe, Hasani ka pasur një gjysmë sezoni fantastik me Tiranën duke shënuar 10 gola në 16 ndeshje, ndërsa sezonin e kaluar ai ishte golashënuesi më i mirë në Kategorinë Superiore me 16 gola të shënuar.

Në Kosovë, ai kishte veshur fanellën e Vushtrrisë dhe Trepçës 89, ndërsa në Evropë karrierë ka bërë tek ekipet si Diosgyr, Kfar Saba dhe së fundmi Gyirmot. /Telegrafi/